Akademiku serb: Kosova de facto u pavarësua para 25 vitesh, jam pro saj në OKB

Prishtinë | 15 Kor 2024 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Akademiku serb, Nenad Kostiq, ka thënë se Kosova u bë de facto e pavarur 25 vjet më parë, ndërsa gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shpalli pavarësinë.

Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Fonet”, i pyetur nëse zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të arrihet përmes konferencës apo dialogut ndërkombëtar, Kostiq tha se gjatë historisë konferencat ndërkombëtare dhe konferencat e paqes janë organizuar shpejt pas përfundimit të luftës dhe se tani është tepër vonë për një gjë të tillë.

“Kosova u bë de facto e pavarur 25 vjet më parë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shpalli pavarësinë. Rruga e mëtutjeshme e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është shumë e ngushtë. Unë nuk shoh nevojën për një konferencë të madhe. Kjo duhet të merret vesh nga pushtetarët në Prishtinë dhe Beograd, natyrisht, nën kujdesin e fuqive të forta”, shtoi Kostiq, raporton media serbe “Danas”.

Ai thotë se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë “është një iniciativë e dy vendeve udhëheqëse të Bashkimit Evropian për të zgjidhur përfundimisht statusin e Kosovës dhe që Serbia të pajtohet me fqinjët e saj sa më shumë që të jetë e mundur dhe përfundimisht një ditë të bukur t’i bashkohet BE”.

I pyetur për konfliktin e ngrirë, ai tha se konflikti nuk është i ngrirë, por po digjet dhe se problemi me çdo konflikt të tillë është se ai mund të shkrihet.

“Një konflikt i ngrirë është një fuçi baruti që pret vetëm ndezjen e fitilit”, paralajmëroi Kostiq, duke shtuar se ata që e mbrojnë atë ide fantazojnë se gjithçka do të funksionojë në favor të tyre në të ardhmen, por se ai është kundër një konglomerati të ngrirë.

Të ngjashme