Akademik Tahir Emra është laureat i Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” në fushën e Artit Pamor, ndërsa Hysni Krasniqi është laureat i Çmimit Vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor.
Për këtë ka marrë vendim Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në bazë të vlerësimit të Jurisë Profesionale për ndarjen e këtyre çmimeve, raporton Ekonomia Online.
Juria e cila ka qenë në përbërje të: Zeni Ballazhi – kryetar, Dhurata Ramosaj e Mirsad Lushtaku – anëtarë, kanë vlerësuar se çmimi “Muslim Mulliqi” t’i ndahet artistit Tahir Emra, i cili i përket brezit të pare të artë, të cilët dolën nga Shkolla e Mesme e Arteve në Pejë dhe i cili është një ndër theme1uesit e parë të institucioneve të artit duke zhvilluar artin bashkëkohor dhe modern në Kosovë. Është një personalitet i shquar në fushën e Artit Pamor dhe njihet me të arriturat profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçante në avancimin e artit pamor.
Ndërkaq, për artistin Hysni Krasniqi, juria ka vlerësuar se ai gjatë këtyre viteve ka pasur të arritura të dalluara në fushën e artit pamor sipas krijimtarisë profesionale në mediumin e grafikës duke kontribuuar denjësisht në formimin e një fytyre bashkëkohore të artit kosovar.
Me këtë rast ministrja Dumoshi, tha se laureatët kanë kontribuuar në pasurimin e vlerave artistike pamore në vendin tonë me krijimtarinë e tyre duke përçuar mesazhe tek publiku të cilat kanë sjellë një frymë të re.
“Është një kënaqësi që t’i kemi këta artistë me një histori të shkëlqyeshme dhe që kanë kontribuuar shumë në artin pamor. Çmimet që ndan MKRS-ja janë vlerësim i punës së artistëve, dhe ky çmim mban një emër të madh, emrin Muslim Mulliqi”, tha ministrja Dumoshi.
Ministrja Dumoshi ka pohuar se puna të cilën artistët e kanë zhvilluar me dekada, nuk kanë qenë shumë të lehta për vendin tonë por përmes pikturës dhe zhanreve tjera në kulturë ju na keni bërë që të bashkëndjejmë.
Ndërsa, laureati Emra, tha se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur që ministria po i ndan këtë çmim duke e vlerësuar kështu punën e tij. “Ky është një vlerësim i cili tregon se edhe Kosova ka krijues të mirëfilltë të cilët edhe janë të shkolluar nëpër akademi prestigjioze dhe atë dije që kemi fituar e kemi përcjellë edhe tek gjeneratat e reja. Ne jemi popull shumë i talentuar, ndonëse populli i vogël por dhe këtë nuk e themi ne por e thonë të tjerët”, u shpreh ndër të tjera akademik Emra.
Ndërkaq, Hysni Krasniqi, tha se arti pamor i Kosovës mund të krahasohet kudo në bashkësinë evropiane ku artistët nga Kosova, qoftë individualisht apo në grup, kanë realizuar ekspozita anekënd ish-Jugosllavisë dhe Evropës, si në pikturë, skulpturë, grafikë e vizatim.