“Agro Kosova Holding”, në bashkëpunim me Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), të shtunën ka mbajtur gala-darkën në ambient të hapur në vreshtat e kësaj ndërmarrjeje, për të shënuar përfundimin e vjeljes së rrushit.
Kryetari i Aleancës Kosovare e Biznesit (AKB), Agim Shahini, tha se kjo darkë ka për qëllim falënderimi për ata që janë angazhuar në vjeljet 2023, si dhe promovimin e prodhimeve vendëse.
“Gala darka sonte që ka mbledhur shumë politikanë e biznesmenë, ka si motiv për të ngritur më shumë konsumin e prodhimit vendor dhe për të falënderuar Zotin, punëtorët e konsumatorët. ‘Agro Kosova Holding’ këtë vit, darkën e organizon pak më ndryshe sepse mbahet në ambiente të hapura dhe për t’i parë bereqetet”, tha Shahini.
Edhe me këtë rast, kreu i AKB-së kërkuar më shumë përkrahje nga institucionet për sektorin privat.
“Ky është një biznes i rëndësishëm në hallkën ekonomike të vendit. Ndonëse ka një përkrahje nga institucionet me nga 1 mijë euro për hektar është prapë se prapë e vogël krahasuar me vendet e tjera. Duke mbështetur prodhuesit vendor, rritet mundësia e punësimit e eksportit”, tha tutje Shahini.
Pronari i “Agro Kosova Holding”, Haziz Tafaj, tregoi se kjo darkë është tashmë tradicionale dhe po organizohet për të katërtin vit më radhë.
“Shtatori është muaji më i mirë, është muaji kur merret prodhimi i verës. Shtatori është muaji i festave në komunën e Suharekës. Tash e 23 vjet organizohet ‘Festari’. Ndërsa sonte është ‘Darka e Vreshtave’, ky është viti i katërt që po e organizojmë”, tha Tafaj.
“Ky vit ka qenë vit i vështirë, por ‘Agro Kosova Holding’ ka arritur ta ruajë rrushin. Ajo që dua ta potencoj është se kjo ngjarje promovon kulturën tonë dhe brendet e kulturës sonë të rrushit”, u shpreh Tafaj, për Ekonomia Online.