Nënkryetari i AKB-së, Suat Berisha priti në takim pune përfaqësues të Bankës Botrore të kryesuar nga Guilia Maria Stecchi. Qëllimi i këtij takimi ishte rishikimi i realizimit të Projektit Global të Bankës Botrore “Klima e investimeve ne Kosovë”.
Me këtë rast nënkryetari i AKB-së, Suat Berisha falenderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen që po i bëhet institucioneve të Kosovës përmes projektit ‘Klima e investimeve në Kosovë’, sidomos në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe investimeve të huaja.
Në këtë drejtim Berisha i njoftoi të pranishmit se Kosova sipas Bankës Botërore ka bërë progres në rangimin e ‘të bërit biznes’ (doing business), shikuar në procedurat për regjistrimin e një biznesi, mirëpo, përkundër këtij progresi, Kosova ka pothuaj “zero” investime të huaja, që nga përfundimi i luftës e këndej!
Berisha përmendi disa nga arsyet për mungesë të investimeve të huaja në Kosovë:
1. Mungesa e mbështetjes institucionale dhe lehtësirave për investime të huaja.
2. Procedurat e stërzgjatura burokratike për realizimin e investimeve te huaja.
3. Problemet në sektorin e energjisë elektrike.
4. Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
5. Mungesa e sigurisë juridike, mosfunksionimi i sistemit gjyqësor – procedurat e stërzgjatura të kontesteve gjyqësore.
6. Mungesa e sundimit te shtetit ligjor dhe korrupsioni.
Nga ana tjetër znj. Guilia Stecchi, mirëpriti këto informata nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, njëherit shprehi keqardhje, që, përkundër të gjitha angazhimeve dhe përkushtimeve edhe të Bankës Botërore, fatkeqësisht në Kosovë edhe mëtutje mungojnë investimet e huaja, për shkak të gjitha atyre arsyeve që u cekën, andaj, u zotua që ky takim faktmbledhës është një obligim shtesë edhe për instancat e larta të Bankës Botërore, që të bëjnë trysni më të madhe te institucionet e Kosovës që të eliminojnë këto barriera ndaj investimeve të huaja.
Në fund, të dyja palët u pajtuan se Kosova megjithatë mbetet vend i artë për investime, bazuar në resurset natyrore dhe ato humane.