AKB: Vuçiqi godet shtetin e Kosovës, Albini – ekonominë e Serbisë

| 15 Qer 2023 | 15:55 | Nga

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh indinjatën me ngjarjet e fundit të tensionuara në Veriun e Kosovës, duke paralajmëruar se kjo do të krijojë dëme të thella ekonomike, politike, diplomatike, investuese dhe sociale në Kosovë.

“Vuçiqi e goditi shtetin e Kosovës me arrestimin e tre policëve kosovarë në territorin e Kosovës dhe konsiderojmë se ishte shkelje flagrante e integritetit territorial të Kosovës ku përgjegjësinë për këtë e kanë institucionet ndërkombëtare, siç është KFOR dhe Policia e Kosovës, veprimi i xhandarmërisë serbe duhet të dënohet nga institucionet më të larta vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë BE-në dhe SHBA-në”, thuhet në reagimin e AKB-së.

“Kryeministri Kurti mori vendim hakmarrës ndaj ekonomisë së Serbisë, me ç’rast ndaloi të gjitha importet me produkte serbe si dhe te gjitha maunat me tabela të këtij shteti dhe kjo do të dëmtojë thellë ekonominë e Serbisë e cila vitin e kaluar ka pasur shkëmbime tregtare me Kosovën rreth 430 milion euro”.

AKB kërkon nga institucionet ndërkombëtare të SHBA-ve dhe BE-së që të hyjnë fuqishme në ndërmjetësim për shtensionimin e situatës së rënduar mes dy vendeve Kosovë-Serbi të cilat janë më shumë populiste dhe elektorale se sa reale dhe në dëme të bizneseve, qytetarëve dhe konsumatorëve.

Sipas AKB-së, veprimet e fundit janë frikësim dhe largim i investitorëve potencialë të cilët për çdo ditë janë më pak. “Prandaj AKB është e shqetësuar për investimet dhe komunitetin e biznesit i cili po rendohet nga dita në ditë, qoftë ne periudha të eskaluara si pandemi, kriza ekonomike globale, lufta Ukrainë – Rusi dhe së fundi tensionimi në Veri”.

Të ngjashme