AKB mbështet marshin e 12 shtatorit, bën thirrje për pjesëmarrje masive

Prishtinë | 10 Sht 2026 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka pritur në takim Këshillin Organizativ të protestës së 12 shtatorit “Liria ka emër”, duke shprehur mbështetjen për marshin që do të mbahet në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se bizneset, punëtorët, bashkëpunëtorët dhe familjarët do t’i bashkohen marshit, teksa bëri thirrje për pjesëmarrje masive në këtë organizim.

“Sot jemi këtu për të mbështet këtë iniciativë, këtë slogan ‘Liria ka Emër’, dhe ju themi se Aleanca Kosovare e Biznesit, me anëtarësinë e vet, me bashkëpunëtorët e vet, me punëtorët e vet, do të jemi pjesë e marshit të çliruesve me datë 12 në qendër të Prishtinës, aty ku edhe është ftesa nga ju, për më shumë se 10 mijë veta, duke përfshirë këtu biznese, punëtorë dhe familjarë”, tha ai.

Shahini tha se pjesëmarrjen në marsh e konsiderojnë si kontribut për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar nevojën për mbështetje morale dhe përcjelljen e një mesazhi te faktori ndërkombëtar.

“Ky është një kontribut i vogël për ata njerëz që kanë bërë shumë për ne. Prandaj, e vlerësojmë lartë që nëse ne do të përgjigjemi masovikisht asaj date të rëndësishme për të çuar mesazh të rëndësishëm tek faktori ndërkombëtar se ata djem tanë janë duke u mbajtur politikisht atje. Dhe ne duhet të jepim mbështetje morale atyre njerëzve dhe t’ju themi se nuk jeni vetëm”, tha ai.

Ndërkaq, Eliza Hoxha nga “Liria ka emër” tha se bizneset kanë pasur rol në mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe në zhvillimin dhe rindërtimin e vendit pas luftës. Ajo tha se edhe në organizimet e mëparshme bizneset kanë ndihmuar mobilizimin dhe solidarizimin e qytetarëve.

“Kanë qenë të hapura zemrat e shumë bizneseve dhe familjeve, me ekonomi të mirë edhe në kohën e para luftës, edhe në ndihmën për ushtrinë çlirimtare të Kosovës, edhe në zhvillimin dhe rindërtimin e Kosovës, ashtu edhe sot, edhe në marshet e kalume, bizneset e shumta kanë ndihmuar mobilizimin, solidarizimin e gjithë popullit të Kosovës për të qenë bashkë, për të përçuar një mesazh të vetëm që ne i dëshirojmë çlirimtarët, me u kthyer në shtëpinë e vet”, tha ajo.

Hoxha tha se organizatorët dhe qytetarët i konsiderojnë ish-krerët e UÇK-së të pafajshëm, duke ftuar qytetarët, bizneset dhe familjet që t’i bashkohen marshit të 12 shtatorit.

“Për neve ata janë të pafajshëm, dhe në emër të popullit kanë me mbetë të tillë. Ata e kanë përjetësuar emrin e tyre, duke qenë se i përkasin një periudhe shumë të ndritshme dhe të lavdishme. Kanë luftuar për diçka që është më e madhe se ëndrra e tyre e vetme, personale, kanë luftuar për liri, kanë marrë shumë për liri. Kane marshuar Ironikisht, në shtator dhe ‘99-ës, e ne sot, si qytetarë këtu, ftojmë të gjithë me marrë shumë për lirinë e tyre, për çlirimin e tyre nga dhomat e specializuara. Kështu që ky është një mesazh fisnik, edhe një organizim fisnik për të krejt këto vite që ne i kemi pasur ata të privuar nga liria, të mbajtur në dhomat e specializuara, dhe për t’i përçuar në ditën e 12 shtatorit. Bashkë, krejt, bashkë, moshat e ndryshme, gjinitë e ndryshme, familjet e ndryshme, bizneset e ndryshme, qytetarët e Kosovës, që populli i Kosovës është me ta, do të jetë përjetë me ta. Populli i Kosovës i do në shtëpinë e vet, edhe për popullin e Kosovës ata janë të pafajshëm”, tha ajo.

Të ngjashme