AKB mbledh biznesin dhe politikën në iftar në Brezovicë, mesazh për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik

Prishtinë | 13 Mar 2026 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), në bashkëpunim me “Dino Company”, organizoi iftar të përbashkët në Hotel “Brezovica”, ku morën pjesë përfaqësues të bizneseve, partnerë ndërkombëtarë dhe figura të rëndësishme institucionale e politike.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se ky iftar është një shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që gjatë gjithë vitit kanë mbështetur biznesin dhe zhvillimin e ekonomisë kombëtare.

“Ky është një iftar falënderimi për të gjithë partnerët, miqtë dhe institucionet që kanë qenë pranë biznesit dhe që kanë kontribuar në forcimin e ekonomisë së vendit. Bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe institucioneve është çelësi për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin e tregut,” u shpreh Shahini.

Ish-Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi se bashkëpunimi me biznesin dhe me AKB-në ka qenë gjithmonë i rëndësishëm gjatë angazhimeve të tij në institucione.

“Gjatë gjithë kohës sa kam qenë në pozita të ndryshme, biznesin dhe AKB-në i kam pasur partnerë dhe kështu do të vazhdojmë të jemi edhe në të ardhmen,” tha Xhaferi.

Ndërsa pronari i Dino Company, Abedin Salihu, u shpreh se do të vazhdojë të mbështesë të gjitha projektet që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe në të mirën e vendit.

Ky aktivitet shërbeu edhe si një platformë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, institucioneve dhe partnerëve rajonalë, me qëllim të avancimit të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja për sektorin privat.

Të ngjashme