Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka pritur të shtunën një delegacion të Odës Tregtare të Kamerunit, me të cilën ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e quajti historike. Ai theksoi se diplomacia ekonomike duhet të zgjerohet edhe në Afrikë.
Ai i ka bërë thirrje investitorëve nga Afrika që të vijnë e investojnë në Kosovë, pasi sipas tij, Kosova është një vend që ofron kushte shumë të mira për investime.
“Sot pritëm një delegacion të bizneseve nga Kameruni, që përfaqëson 14 shtete të Afrikës. Kjo përpjekje është në kuadër të Javës së Bizneseve e që ka për qëllim gjetjen e mundësive për biznese. Sot nënshkrum marrëveshje historike mes Kosovës dhe Afrikës. Diplomacia ekonomike duhet të hapet më shumë edhe në Afrikë dhe ky është synimi kryesor por edhe bashkë investime mes Kosovës dhe Afrikës“, tha ai.
Emanuel Assako, nga Oda Tregtare e Kamerunit, tha se Ballkani dhe Afrika kanë një histori mjaft të ngjashme. Ai theksoi se ky nënshkrim është një moment historik dhe presin thellimin e bashkëpunimit.
“Falënderoj për këtë mundësi që të shkruhet në histori të dy vendeve mes Kosovës dhe Afrikës. Ballkani dhe Afrika kanë histori të ngjashme dhe ky është një moment historik dhe jam i bindur që do kemi suksese. Ne do shkojmë së bashku për të dërguar Afrikën dhe Ballkanin sa më lartë dhe për ta zhvilluar sa më shumë”, tha ai.
Kujtim Dervishi, kryetar i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave të Shqipërisë, tha se iniciativa e kryesuesit të delegacionit nga Afrika ka rendësi të madhe për ekonominë mbarëshqiptare, sidomos për turizmin.
“Edhe per Kosovën, edhe për Shqipërinë, është me mjaft interes kjo marrëveshje. Z. Emanuel e kemi takuar dhe kemi filluar takimet në Tiranë së bashku me juve z.Shahini dhe ju bëtë një rezyme të qartë sa i përket bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë sepse ne jemi një, dhe më pëlqen kjo iniciativë e z. Emanuel i cili është këtu me delegacionin dhe shpresoj që kjo marrëveshje të jetë pozitive për dy palët“, tha ai.
Edhe Suad Berisha, nënkryetar i AKB-së, e ka quajtur marrëveshjen historike, pasi theksoi se deri më tash Kosova nuk ka pasur bashkëpunim me vendet afrikane.
“Kjo marrëveshje me Odën Tregtare të Afrikës e cila mbulon 14 vende e mbi 200 milionë banorë është e veçantë sepse AKB ka pasur këso marrëveshje bashkëpunimi më shumë vende, përveç Afrikës”, tha ai.