Shpallja e dy zyrtarëve rusë persona non-grata, ka dëshmuar se Kosova është vend pro-perëndimor, thonë ekspertët e sigurisë, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa sa i përket, arrestimit të një ish-punonjësi të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë me dyshimet se ka zbuluar informacione të klasifikuara, ekspertët thonë se është masazh i qartë për zyrtarët e këtij institucionit se nuk mund të shkelin Kushtetutën.
Ekspertja e sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj, në një deklaratë për Ekonomia Online, tha se rastet e ndryshme të spiunazheve ndodhin tek shumë shtete të fuqishme.
Ajo thotë se ngjarjet e fundit kanë vënë në pah se AKI ka probleme brenda institucionit.
“Përderisa rastet e spiunazhit nuk janë të izoluara dhe ju ndodhin edhe shteteve të fuqishme përderisa edhe rrjedhja e informacioneve ndodh edhe në institucione të vendeve të fuqishme. Ky fakt i vetëm nuk mjafton për me u ndje që jemi të pa sigurt por ky fakt i vetëm mjafton për me kuptua që kemi hapësirë për përmirësim dhe kemi ndoshta edhe probleme strukturore brenda institucioneve të caktuara të cilat duhet me i adresua për me parandalua rrjedhën e mëtutjeshme”.
Kabashi-Ramaj thotë se është shumë e rëndësishme që të dihet se ku po rrjedh ajo informatë dhe sa dëm i bën Kosovës.
“Natyrisht që duhet vlerësuar se çfarë informate po rrjedh, sa është e vlefshme, sa shkakton dëm Kosovës dhe se cili është motivi. Gjitha këto të ndihmojnë me kuptua se sa në rrezik është vendi dhe se sa të mungojnë procese të operimit brenda institucioneve”.
Tutje, ajo tha se AKI-ja është institucion i ri dhe që duhet të adaptoj standarde të reja dhe ka hapësirë për t’u zhvilluar tutje.
“AKI-ja është institucion relativisht i ri, bashkë me institucionet e tjera të sigurisë, dhe është institucion i cili është ndërtuar me ndihmën e partnerëve strategjik të vendit dhe kjo ka shumë rëndësi sepse janë adaptuar standarde të tilla. Përderisa Kosova ka pasur operacione të suksesshme të parandalimit të akteve terroriste, ku informata të tilla janë bazuar nga partnerët tanë”.
“AKI-ja ka rol të jashtëzakonshëm të rreziqeve dhe kontrollin e informacionit brenda vendit i cili mundet me dëmtua vendin në çfarëdo aspekti, dhe çka tregon se ka hapësirë për m’u zhvillua tutje sidomos fakti që në Kosovë ka shumë incidente ku agjentë të huaj kanë operuar”.
Për fund, ajo theksoi faktin se sa e rëndësishme është anëtarësimi në NATO.
“Siguria publike në krejt Ballkanin Perëndimor është e jashtëzakonshme, mirëpo sa i përket sigurisë njerëzore dhe kombëtare nuk qëndrojnë mirë dhe nuk mjafton të kemi një ushtri të mrekullueshme siç është FSK, mbrojtja e vendit dhe siguria kombëtare ka të bëjë më shumë me një trekëndësh në mes të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe integrimit në aleancën siç është NATO”.
Drejtuesi i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, Fatmir Sheholli, në një bisedë me Ekonomia Online, tha se ngjarjet e fundit kanë dëshmuar se Kosova është shtet pro-perëndimor dhe që nuk lejon ndikimin rus në vend.
“Çështja e parë, ku shpallja e dy diplomatëve rus si persona non-grata nga institucionet e vendit është një shenjë shumë e mirë që tregon se shteti i Kosovës është në përcjellje të të gjitha çështjeve që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe ky është një hap pozitiv në koncept të asaj që po tregojmë se jemi vërtetë shtet pro-perëndimor dhe nuk do të lejojmë që ndikimi rus të ketë ndikim edhe në institucionet tona”.
“Sa i përket diplomatëve rus që shpallen non-grata ka arsye shumë të fuqishme, pasi ata kanë krijuar dhe angazhuar çështje që kanë ardhur në ndesh me ligjet tona dhe në aspekt rajonal kanë pretenduar që disa projekte t’i fuqizojnë në Kosovë, dhe është mirë që vendi jonë kanë ardhur deri në këto të dhëna. Por edhe instituti jonë ka dhënë një kontribut që kjo çështje të zbulohet”, tha ai.
Tutje, Sheholli tha se edhe arrestimi i një ish-pjesëtari të AKI-së, është mesazh i qartë për të gjithë zyrtarët në këtë institucion se nuk mund t’i ikin ligjit.
“Në anën tjetër kjo që ka të bëjë me aspektin e sigurisë nacionale dhe arrestimin e një ish-pjesëtari të AKI-së është mirë edhe kjo çështje sepse edhe ata njerëz që janë pjesëtarë të inteligjencës duhet ta dinë që i nënshtrohen ligjit dhe Kushtetutës në vend. Është mirë që t’i lihet drejtësisë pasi është një temë e ndjeshme e shpresoj që këto ngjarje mos të ndodhin kurrë, sidomos në një institucion të tillë kaq të ndjeshëm”.
Mes tjerash, ai thotë se politizimi tek një institucion siç është AKI-ja nuk duhet të ndodh, pasi prekin konceptin e përgjithshëm nacional.
“Në AKI nuk është rasti i parë që ka ndodhur, pasi kemi pasur para disa viteve edhe një vrasje të një punëtori aty. Mirëpo unë mendoj që këto raste janë të izoluara dhe nuk ka mundësi që të ketë çështje që mund të veprojnë në konceptin e përgjithshëm nacional dhe është mirë që zbulohen. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në këtë institucion dhe do doja të jepja mesazh tek personat politik sidomos, larg politizimit sepse ajo na dërgon tek ajo se a është kredibil apo jo”.