Akil Gjakova e përfundoi Kampionatin Evropian të xhudos pa medalje, duke u renditur në vendin e pestë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Në garat e zhvilluara në Tbilisi, ai u ndal në luftën për medaljen e bronztë, ku u mposht nga turku Bilal Çiloğlu, i cili realizoi një hedhje vendimtare në momentet e fundit dhe fitoi me uazari. Ndeshja ishte e baraspeshuar për pjesën më të madhe, por një pakujdesi e vogël i kushtoi Gjakovës.
Gjatë ditës, Gjakova pati paraqitje solide. Fillimisht e mposhti austriakun Samuel Gassner me Ippon, pavarësisht se ishte në disavantazh. Më pas triumfoi edhe ndaj britanikut Benjamin Levy, po ashtu me Ippon, pas një dueli të gjatë që zgjati mbi shtatë minuta.
Lufta e lodhshme ndikoi në vazhdim, pasi në çerekfinale u përball me gjeorgjianin Lasha Shavdatuashvili. Edhe ky duel shkoi në kohë shtesë, por në fund fitoi vendësi.
Në repesazh, Gjakova rikuperoi duke e mposhtur moldavon Adil Osmanov me një kombinim hedhjeje dhe mbajtjeje, duke siguruar kështu luftën për medalje, ku në fund mbeti i pesti.
Në të njëjtën ditë garuan edhe Dardan Cena dhe Laura Fazliu. Cena arriti një fitore ndaj bullgarit Victor Skerlev, por më pas u eliminua nga kampioni olimpik Hidayet Heydarov. Ndërkohë, Fazliu u ndal që në ndeshjen e parë nga sllovenja Kaja Kajzer.
Megjithatë, Kosova siguroi medalje në këtë Evropian. Të enjten, Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë, duke vazhduar serinë e sukseseve të vendit në Kampionatet Evropiane.