AKK gëzohet pas “dorëzimit” të Qeverisë për mjetet vetanake të komunave

Prishtinë | 15 Dhj 2022 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar pasi deputetët votuan të enjten pro-amandamentit që parasheh heqjen e nenit me të cilin mjetet vetanake të pashpenzuara të komunave të kalonin në llogarinë e shtetit.

Me projektbuxhetin i vitit 2023, të propozuar nga Qeveria Kurti, parashihej që mjetet vetanake të kalonin në arkën e shtetit.

Por, me propozimin e LDK-së dhe mbështetjen e pozitës, kjo është korrigjuar sot gjatë shqyrtimit në lexim të dytë. Kësisoj, pro këtij ndryshimi ishin 94 deputetë.

Kështu, AKK-ja i është gëzuar këtij triumfi përball Qeverisë së Kosovës.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës pas reagimeve të Komunave, ka kundërshtuar propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, që këto mjete nga Të Hyrat vetanake të Komunave , që përfshijnë disa miliona euro të kalojnë në Buxhetin e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Njoftimi i plotë i AKK-së:

PAS LOBIMIT TË SUKSESSHËM TË AKK-SË, TË HYRAT VETANAKE U MBESIN KOMUNAVE NË VITIN 2023

Kuvendi i Republikës së Kosovës tërhoqi pikën 6 të nenit 9 të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2023

Projekt-ligji i  Buxhetit për vitin 2023 i propozuar nga MFT, është kontestuar nga Komunat përkatësisht Asociacioni i Komunave të Kosovës, në nenin (9)  pika (6), ku bëhej fjalë për të hyrat vetanake të grumbulluara nga komunat e ku thuhej që : “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”, paragraf ky i cili është konsideruar nga AKK në kundërshtim me ligjet ekzistuese që rregullojnë aspektin e të hyrave vetanake të Komunave.

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka arritur të mbrojë përmes lobimit të drejtën e Komunave të mbajnë dhe të menaxhojnë e të hyrat vetanake të grumbulluara,  pasi që mjetet janë të qytetarëve  dhe duhet të investohen nëpër Komuna, e drejtë e cila është e garantuar edhe me gjitha aktet juridike në Republikën e Kosovës.

Asociacioni i Komunave të Kosovës pas reagimeve të Komunave, ka kundërshtuar propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, që këto mjete nga Të Hyrat vetanake të Komunave , që përfshijnë disa miliona euro të kalojnë në Buxhetin e Qeverisë së Kosovës .

AKK- edhe një herë ishte në mbrojtje të Komunave duke respektuar Ligjin e Menaxhimit të Financave Publike, atë të Financave të Pushtetit Lokal si dhe  Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

Të ngjashme