Autoriteti i Konkurrencës ka gjetur se kompanitë e naftës janë marrë vesh paraprakisht për rritjen e çmimit të naftës.
Në dhjetorin e vitit të kaluar fitimi mesatar për to ka qenë 124 për qind.
Komisioni i Autoritetit ka miratuar Njoftimin e Fakteve Paraprake të konstatuara gjatë procedurës hetimore ndaj 14 kompanive dhe ka ardhur në këto përfundime:
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës konstaton se në bazë të fakteve të gjetura gjatë procedurës hetimore, ndërmarrjet që operojnë me shitjen me pakicë të naftës nuk kanë reflektuar në mënyrë individuale për çmimin e shitjes dhe fitimit bruto për muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.
Kjo do të thotë që kompanitë që janë në procedurë hetimore, dyshohet se kanë pasur fitim prej rreth 9 % gjatë muajve janar-tetor 2018, kurse fitimi në muajin nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%.
Të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës.
Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në nëntor ka qenë 108% kurse në dhjetor 135%, transmeton KTV.
Kreu i AKK-së, Valon Prestreshi ka thënë se këto gjetje nuk janë përfundimtare, dhe vendimi përfundimtar lidhur me këtë do të merret vetëm pasi që të përfundojnë afati për paraqitjen e komenteve nga të gjithë operatorët. Ky afat është një muaj.
Autoriteti nesër do të publikojë gjetjet.