Prokurimi publik vazhdon të jetë njëra prej çështjeve më të ndjeshme dhe e cila shfaq më shumë telashe.
Kështu ka thëne drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli gjatë raportimit në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion Mandate dhe Imunitete, raporton Ekonomia Online.
“Çështja e prokurimit publik është çështje e ndjeshme që vazhdon të ketë ende telashe. 127 raste janë trajtuar për shkak të shkeljes së Ligjit të Prokurimit Publik, janë dhënë 62 opinione, 37 raste të mbyllura dhe 25 këshilla”, ka thënë ai.
Sipas tij gjatë vitit 2016 janë trajtuar 210 raste sa i përket fushës së konfliktit të interesit.
Me punën e Agjencisë Kundër Korrupsion nuk ishte e kënaqur kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete Albulena Haxhiu. Ajo tha se rreth 60% të rasteve të kallëzimeve penale janë mbyllur.
“A mund të na tregoni kush është përgjegjës që nuk po merren parasysh kallëzimet penale, a jeni ju apo prokuroria. Gjatë vitit 2016 ju keni pasur 194 raste, 41 raste janë përcjell në prokurori e polici, 30 në organet administrative dhe 160 raste janë mbyllur. Do të thotë afër 60% të rasteve janë mbyllur, 82 kanë qenë nga viti i kaluar dhe natyrisht kjo shifër është goxha problematike dhe nëse keni mundësi na tregoni arsyet e mbylljes së këtyre rasteve. Pastaj thuani që 41 kallëzime penale janë proceduar për polici dhe prokurori çfarë ka ndodhur me këto kallëzime penale”, ka thënë ajo.
Ndërsa, zëvendëskryetarja e Komisionit nga radhët e PDK-së, Selvije Halimi tha se raporti i paraqitur i drejtorit Havolli, është pozitiv dhe ka specifikim të detajeve. Mirëpo ishte e interesuar të dijë se a ka arritur Agjencia Kundër Korrupsion të ketë përkrahje nga Prokuroria për verifikimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë.
“Ndërsa pyetja ime është sa keni arritur që të keni përkrahje nga Prokuroria dhe a keni marrë së paku premtim dhe a keni vërejtur një ecuri më frytdhënëse nga ana e institucionit të prokurorisë në rastet të cilat i delegoni në institucione përkatëse për të ecur tutje puna rreth verifikimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë”, ka pohuar Halimi.
E, anëtari i Komisionit nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj paraqit dy çështje të ndryshme.
“Janë dy çështje për të cilat do të flas e para të përgëzoj për përgjegjësinë ligjore për ta bërë punën sipas mandatit që e keni ligjor dhe pjesa tjetër që shihet në raport është një angazhim e që është për avancimin e këtij mandati ligjor do të thotë për shtimin e kompetencave të cilat i mundësojnë Agjencisë Kundër Korrupsion të luftoni apo atë që po e quajmë si kërkesë që të parandaloni konfliktin e interesit por qoftë edhe korrupsionin në tërësi”, ka thënë ai.
Kurse, Agim Aliu anëtar i Komisionit theksoi se nuk është duke u bërë sa duhet në luftën kundër korrupsionit.
“Unë po e vërej që ka një tendencë të ndryshimit të qasjes në përgjithësi të luftës kundër korrupsionit e cili është ai ndryshim. Ndryshimi është se nuk është duke u bërë lufta e njëmendtë kundër korrupsionit , por është duke u bërë statistikë e korrupsionit. Ne nuk kemi nevojë të kemi pjesë statistikave, kallëzimeve penale apo aktakuzave që do të ngriteshin në raste të tilla por ne jemi të interesuar të kemi përfundime nga kallëzimet penale, respektivisht nga aktgjykimet për veprat penale që lidhen me korrupsion”, ka thënë ai.
E drejtori Havolli duke iu përgjigjur anëtarëve të Komisionit tha se çështja e kallëzimeve penale ka një diskrepancë mes vitit 2015-2016.
“Ajo është diskrepanca mes vitit 2015-2016. Është e vërtetë që ka një ndryshim kogja të madh mirëpo nuk është fjala për 41 po ne i kemi 66 raste me kallëzime penale dhe 13 raste janë që i kemi dërgua në prokurori dhe në polici. Arsyeja pse këtë vit ka më pak. Vitin 2014 ka hy në fuqi ligji për deklarimin e pasurisë kryesisht më shumë kallëzime penale ka pasur me deklarimin e pasurisë sepse në vitin e parë kur ka hy ky si ligj në fuqi shumë zyrtarë kanë hezituar të raportojnë dhe se kanë marrë seriozisht deklarimin ose sanksionet penale nga ana prokurorisë”, ka thënë Havolli.