Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e ka sugjeruar Qeverinë në detyrë që ta rishikojë vendimin e marrë rreth Telekomit.
Në rekomandimin zyrtar 4-pikësh të këtij autoriteti, të publikuar të premten, AKK-ja vlerëson se ky vendim “dobëson presionin konkurrues, i cili shpie në përforcimin e kompanisë ekzistuese”.
“Autoriteti konsideron se Vendimi i Qeverisë së Kosovës, i datës 02.04.2020 nr. 05/21 mund të shpie tek format e keqpërdorimit të pozitës dominuese nga Telekomi i Kosovës”.
Qeveria e Kosovës më 2 prill e kishte marrë vendimin për përjashtimin e Ligjit të Prokurimit Publik për Shërbimet Telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës, si shërbime me rëndësi të veçanta shtetërore. Vendimi mban numrin 05/21.
“Autoriteti konsideron se Vendimi i Qeverisë së Kosovës, i datës 02.04.2020 nr. 05/21 është në kundërshtim me ekonominë e tregut me konkurrencën e lirë”, shkruan po ashtu në rekomandim.