Agjencia Kosova e Privatizimit ka risqaruar se që nga data 10 shtator 2018 nuk administron me Pallatin e Rinisë.
“Agjencia Kosovare e privatizimit e sheh të nevojshme të sqaroj edhe një herë për gjithë opinionin publik se nuk administron me Pallatin e Rinisë dhe Sporteve që nga data 10 shtator 2018, kur është bërë pranim-dorëzimi i “Qendrës Shoqërore Sportive, Kulturore dhe Ekonomike” Pallati i Rinisë nga AKP tek Komuna e Prishtinës. Marrëveshja në fjalë për transferimin e kësaj ndërmarrje është nënshkruar nga drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe se prej kësaj date, çfarëdo reagimi qoftë i punëtorëve apo edhe i ndonjë institucioni apo shoqate që e ndërlidh AKP-në me veprimtarinë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve është i pasaktë.
Ndonëse AKP nuk administron më me këtë ndërmarrje, megjithatë, AKP, në koordinim të ngushtë me Komunën e Prishtinës dhe me ndërmarrjen Pallati i Rinisë dhe Sporteve janë pajtuar me një marrëveshje teknike, me çka ka marrë autorizimin nga kryetari i Komunës së Prishtinës që të ekzekutoj në emër të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve transferin e pagave për muajin gusht 2018, duke përmbushur kështu premtimin që AKP ka dhënë për realizimin e pagave të mbetura”, thuhet në komunikatën e AKP-së.