Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të mërkurën ka shpallur valën e shitjes së aseteve me likuidim ShAL68. Vala e 68-të e shitjes së aseteve (ShAL 68) paraqet një portofol të larmishëm pronash të shpërndara në rajonet kryesore të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në këtë shitje janë ofertuar 47 asete, ndërsa janë pranuar gjithsej 56 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1,534,817 euro.
Rajoni i Prishtinës përfshinë toka bujqësore në zona atraktive të Lipjanit, Graçanicës dhe Prishtinës, si dhe hapësira afariste në qendër të Prishtinës, që paraqesin mundësi të shkëlqyera investive.
Në rajonin e Pejës janë tenderuar toka bujqësore të përshtatshme për kultivimin e kulturave të ndryshme dhe tokë komerciale/ndërtimore për zhvillimin e biznesit në Istog, Deçan, Gjakovës dhe Klinë.
Në rajonin e Prizrenit ofrohen në shitje lokale dhe tokë bujqësore në Komunën e Prizrenit, Dragashit dhe Shtimes ndërkaq në nga rajoni i Mitrovicës ofrohen lokale dhe depo më sipërfaqe atraktive për zhvillim biznesi. Të gjitha këto asete të ndërmarrjeve shoqërore paraqesin mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë.