AKP miraton transferet pronësore të disa pronave shoqërore

Prishtinë | 02 Qer 2022 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Bordi i Drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur dje mbledhjen, në të cilën është diskutuar dhe janë ndërmarrë një sërë vendimesh të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Në bazë të një komunikate për media nga AKP, ky Bord fillimisht ka shqyrtuar raportin mujor të menaxhmentit për periudhën paraprake si dhe ka shqyrtuar raportin për mundësitë e zhvendosjes së zyrave rajonale dhe objekteve të arkivave nga objektet private në objektet e Ndërmarrjeve Shoqërore.

Sipas njoftimit, bordi ka diskutuar për planin dinamik për përgatitjen dhe publikimin e listave të punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore që tashmë janë në likuidim, por që s’kanë asete të shitura, si dhe ka aprovuar raportin e aktiviteteve të AKP-së për periudhën tremujore, 1 janar 2022-31 mars 2022.

AKP-ja dje ka miratuar edhe transferet pronësore të disa pronave shoqërore, si: për gjykatën në Prizren, pas pagesës së shpronësimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (për gjykatën në Prizren), si dhe transferin e pronës shoqërore 9013-2 Prizren të NSH- Ndërmarrja e Pyjeve (PRZ023).

Gjatë mbledhjes së djeshme të Bordit të AKP-së, u miratua edhe Raporti i Komisionit të Banesave, transferimi i pronës shoqërore 608-1 dhe 610-1 Mitrovicë të NSH Jugobanka (MIT101), pas pagesës së shpronësimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (për gjykatën në Mitrovicë), transferimi pronësor i pronës shoqërore nr. 7495-2 të NSH Jugopetroll (PRN170) te Qeveria e Kosovës, pas pagesës së shpronësimit nga Ministria e Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Gjithashtu janë shqyrtuar dhe aprovuar shpërndarjet për kreditorët e shtatë ndërmarrjeve në vend, si:

  1. NSH Fabrika e Pompave me Piston, Deçan, PEJ078,
  2. NSH Agimi Mishi, Gjakovë PEJ095,
  3. NSH Morava e Binçës, Gjilan, GJI037,
  4. NTSH Rugova,
  5. NSH UTVA Pejë,
  6. NSH Eurometal Ferizaj, dhe
  7. NSH Radusha Istog.

AKP-ja ka njoftuar gjithashtu se me qëllim të shfrytëzimit të disa pronave shoqërore nga ana e komunave për nevoja të interesit publik si (varreza, rrugë, parqe) dhe projekte të tjera në shërbim të qytetarëve, ka marrë vendim për të hequr dorë nga disa prona, të cilat do të barten tek komunat për të mirën publike pas miratimit nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës. 

Të ngjashme