AKP organizon aksion për dhurimin e gjakut, Morina: Jo pak njerëz kanë dëshirë, por e lënë në harresë për shkak të angazhimeve

Prishtinë | 15 Dhj 2025 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka organizuar një aksion humanitar për dhurimin e gjakut nga zyrtarët e AKP-së, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës (QKTGjK), nga ku u bë thirrje për rëndësinë e veçantë të dhurimit të gjakut, raporton Ekonomia Online.

Mjeku i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Betim Morina, tha se këto organizime bëhen herë pas here me qëllim që dhurimi i gjakut të mos lihet në harresë, duke theksuar vetëdijesimin e të rinjve për këtë akt human.

“Si çdo aksion tjetër, edhe ky e ka rëndësinë e vet. Ne në Transfuzion organizojmë thuajse çdo ditë aksione të tilla, dy ose tri, varësisht nga nevojat që kemi. Ky aksion ka rëndësinë e vet pasi është organizuar nga një institucion dhe në bashkëpunim me media, sepse jo pak njerëz kanë dëshirë të dhurojnë gjak, por e lënë në harresë për shkak të angazhimeve të përditshme. Dita-ditës shtohen dhuruesit; rinia është vetëdijesuar, ka informacion dhe vjen për të dhuruar gjak. Meshkujt kanë mundësi të dhurojnë çdo tre muaj, ndërsa femrat çdo katër muaj, dhe si kontingjent i ri mund të dhurojnë gjak për një periudhë të gjatë. Kur themi ‘a ka gjak’, për ne në Transfuzion është e lehtë ta kuptojmë, por kemi probleme sidomos në prag të festave, kur ndryshon moti dhe shtohen aksidentet”, tha ai.

Ai shtoi se gjatë festave situata bëhet më e ndjeshme, pasi në shumë raste organizimet bëhen në orët e vona dhe rritet numri i aksidenteve.

“Nuk mund të jemi të qetë, sepse një veturë mund të aksidentohet dhe të ketë disa anëtarë të një familjeje të lënduar, të cilët shpesh kanë të njëjtin grup gjaku, dhe menjëherë shfaqet mungesa e atij grupi. Na pyesin shpesh se cili grup gjaku kërkohet më së shumti. Nuk ka grup që mungon, por ka grupe që kërkohen më shumë dhe dhurohen më shumë. Grupi zero ka edhe më shumë dhurues, por edhe më shumë kërkesa. Ndërsa grupi ‘AB negativ’ ka më pak kërkesa, por edhe dhurues më të paktë. Në rast të aksidenteve ku përfshihet një grup i veçantë gjaku, kërkesat për atë grup rriten menjëherë”, tregoi Morina.

Një thirrje për qytetarët pati edhe Gazmend Gashi, punëtor në AKP, i cili dhuroi gjak.

“Dhurimin e gjakut e bëj herë pas here për të ndihmuar ata që kanë nevojë. I lus të gjithë qytetarët të dhurojnë sa më shumë, sepse çdo pikë gjaku është e vlefshme”, tha Gashi.

Të ngjashme