AKP shpërndan edhe 1 milion euro për 9 ndërmarrje të privatizuara

Prishtinë | 04 Tet 2016 | 14:32 | Nga

Bordi i AKP-së ka dhënë dritën e gjelbër për shpërndarjen edhe të mbi 1 milion eurove për kreditorët e 9 ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) bën të ditur se bordi i saj ka dhënë dritën e gjelbër për shpërndarjen e fondeve të likuidimit për kreditorët e 9 ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara.

Vlera e përgjithshme e fondit që do të shpërndahet është mbi 1 milion euro. “Bordi i drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e vet të mbajtur me datë 21 shtator 2016 ka aprovuar raportet e shpërndarjes së përkohshme të fondeve të likuidimit për kreditorët e ndërmarrjeve të listuar në vijim”, ka njoftuar AKP.

Nga ky fond do të përfitojnë kreditorët e këtyre ndërmarrjeve: NShN Mustaf Goga, NSh Letnica, NShT Qëndresa, NSh Elast, NT Deçani, NSh Enti për Medicinë Fizikale dhe Rehabilituese-Banja e Pejës, Ferma e Derrave, NSh Ndërtimtaria dhe NSh Tregtia e Kosovës.

AKP-ja njofton se pagesat pritet të realizohen brenda 30 ditëve.

Vlera e mjeteve që do t’u paguhet kreditorëve të këtyre ndërmarrjeve është 1,098,408.69 euro.

Të ngjashme