Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar se më 24 maj 2022 ka pranuar Aktvendimin nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme në të cilën cilën me shumicë votash është vendosur masë e përkohshme ndaj vendimit të Bordit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e Ndërmarrjes së Re Agrosova nën Administrim Direkt të AKP-së deri në vendimin përfundimtar të shqyrtimit të padisë së ish-blerësit të Agrokosovës.
Me këtë përkohësisht është vendosur që një pronë me interes publik për zhvillimin ekonomik të Kosovës të largohet nga administrimi i një institucioni shtetëror siç është AKP-ja dhe të kthehet nën administrim të palës private.
Nëpërmes një komunikate shtypi, AKP thekson se i respekton në tërësi vendimet e gjykatës, por është jashtëzakonisht e befasuar me vendimin e gjykatës dhe se dëshiron të njoftoj publikun e gjërë dhe të gjitha palët e interesit, se kjo është hera e parë që nga themelimi i AKP-së dhe ish-AKM-së, që për vendimet e Bordit të AKP-së për tërheqjen e aksioneve për arsye të shkeljeve të kontratave të privatizimit me spin-off special, që një pronë largohet me vendim të gjykatës nga administrimi publik dhe bartet nën administrim privat.
AKP-ja është urdhëruar që të bëjë pranim-dorëzimin e ndërmarrjes, prandaj në frymën e kësaj dhe nën respektim të vendimeve të Gjykatës, planifikon ta bëj pranim-dorëzimin më 30 maj 2022 në ora 11 në objektet e Agrokosovës.
“Me qëllim të njoftimit të drejtë, të vërtetë dhe të plotë, AKP njofton publikun e gjërë dhe të gjitha palët e interesit se vendimet e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë të datës 31 janar 2022 për tërheqjen e aksioneve dhe vendosjen e ndërmarrjes Agrokosova nën Administrim Direkt të AKP-së janë marrë në përputhje të plotë me ligjin dhe bazuar në 5 (pesë) auditimet e jashtme të pavarura, të cilat auditime kanë vërtetuar përtej çdo dyshimi se brenda tërë periudhës sa ka zgjatë afati për përmbushjen e zotimeve për investime dhe punësime nga viti 2007 deri prill 2017, ish blerësi nuk i ka permbushur zotimet sipas kontrates se shitblerjes se kesaj ndermarrje. Investimet e zotuara jane permbushur 85.6%, ndërsa punesimet e zotuara jane realizuar vetëm 24.5% . Me tërheqjen e aksioneve të kësaj ndërmarrjeje, AKP e ka mbrojtur interesin publik të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
“Për më tepër, përveç shkeljeve të kontratës të cilat janë konstatuar me anë të raporteve të jashtme të auditimit, pas vendosjes nën administrim direkt të AKP-së dhe pas verifikimit të dokumentacioneve, është vërtetuar se ish-blerësi ka bërë shkelje tjera shumë serioze të kontratës për shkak se ka dhënë me qira hapësira të tokës mbi 500 hektarë, ne periudha deri njëzet (20) vjet palëve tjera private pa lejen e AKP-së. Sipas kontratës së shitjes, asnjë prej aseteve të ndërmarrjes nuk mund të jepet me qira pa lejen e Bordit të Drejtorëve të AKP-së, përderisa kontrata ka qenë nën monitorim të AKP-së”, thuhet në komunikatën për medie.
Ndërkohë, sipas AKP-së, ka dyshime të bazuara se ish-blerësi ka shitur me anë të kontratave joligjore sipërfaqe të ndryshme të tokave e të cilat assesi nuk ka mundur t’i realizojë pa lejen e Agjencisë.
“Prandaj, është evident rreziku i mëtejmë që pas kthimit të administrimit të kësaj prone në emër të palës private, do të vazhdohet me veprimet e mëtejme për tjetërsimin e pronave të Agrokosovës apo edhe të jepen me qira hapërsira të mëdha tokësore në periudha shumëvjeçare. AKP nuk mban asnjë përgjegjësi për këto shkelje eventuale për shkak se i është pamundësuar përkohësisht administrimi i kësaj ndërmarrjeje”.
AKP-ja i bën thirrje gjykatës që në afat sa më të shpejtë të trajtoj padinë e palës ndaj AKP-së dhe që të merret vendimi meritor në interes të publikut dhe pronës shoqërore. “Kjo nënkupton që të refuzohet padia e ish-blerësi dhe të vërtetohet si i ligjshëm vendimi i Agjencisë për kthimin e aksioneve të Ndërmarrjes së Re Agrokosova”.
Gjithashtu, AKP-ja iu bënë thirrje organeve të zbatimit të ligjit të hetojnë dyshimet e AKP-së për tjetërsimin e pronave të “Agrokosovës”.
Kolegji i Apelit i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme ka miratuar ankesën e biznesmenit Aziz Tafa kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për rastin e ndërmarrjes “AgroKosova Holding”.
Supremja, në një aktgjykim të shpallur më 25 maj, ka urdhëruar AKP-në të kthejë rastin në gjendjen e mëparshme dhe ka urdhëruar AKP-në që të ekzekutojë këtë vendim brenda disa ditësh.