Në kuadër të konsolidimit të degëve dhe organizmit të brendshëm të partisë, Aleanca Kosova e Re sot në prani të 280 delegatëve dhe qindra mysafirëve të tjerë, ka mbajtur edhe Kuvendin Zgjedhor të degës së partisë në qytetin e Gjakovës.
Në garën për Kryetar të AKR-së në Gjakovë, Luan Shllaku, ka marrë përkrahjen vendimtare të delegatëve duke u zgjedhur Kryetar i kësaj dege.
Kryetari ri i AKR-së në Gjakovë ka thënë se në krye me Behgjet Pacollin AKR-ja do të vazhdojë të jetë forcë e pandalshme, duke shtuar se Gjakova është vatër e AKR-së dhe se suksesi i saj nuk mund të minimizohet nga askush.
Në Kuvend i pranishëm ishte edhe Presidenti i partisë, Behgjet Pacolli, i cili theksoi se Gjakova do të vazhdojë ta ketë përkrahjen maksimale nga Aleanca Kosova e Re.
Presidenti Pacolli, duke i falënderuar qytetarët e Gjakovës për përkrahjen e vazhdueshme që ja kanë dhënë AKR-së, ka treguar se synimi i tij është që t’jua kthejë dinjitetin gjakovarëve, të cilët kanë dëshmuar se e duan vendin dhe punën.
Duke premtuar se gjithmonë do ta jep kontributin e tij në Gjakovë, Pacolli ka thënë se Kuvendi i mbajtur sot është Kuvendi më madhështorë i mbajtur ndonjëherë në Gjakovë.
Me një fjalë rasti, të pranishmit i përshëndeti edhe ish deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së, Sevdije Lama, e cila tha se detyra e shtetit është që të krijojë rregull dhe jetë më të mirë për qytetarët e saj.
Ajo theksoi se Aleanca Kosova e Re është duke bërë punë të pashoq për të dalë ballëhapur para qytetarëve në drejtimin e shtetit.
Të pranishëm në mesin e mysafirëve ishin edhe Kryetari i Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, Koordinatori i zgjedhjeve në AKR, Vesel Makolli, sekretarja Organizative e partisë, Rejhan Vuniqi si dhe shumë mysafirë të tjerë nga jeta publike në Gjakovë.
Më pas Kuvendi ka zgjedhur edhe strukturat tjera udhëheqëse si dhe Kryesinë e degës.