Aleanca Kosova e Re, përmes Sekretarit të partisë së saj, Rrahim Pacolli, ka kërcënuar kryeministrin Ramush Haradinaj me largim nga Qeveria në rast se nuk kthehet në punë ministri i shkarkuar i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i cili vjen nga kjo parti.
Sefaj u lirua nga detyra nga kryeministri Haradinaj pas skandalit me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi.
Pacolli ka thënë se AKR nuk ka pranuar kërkesën e Haradinajt për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.
Madje ai thotë se deklaratat e Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, “nuk përfaqësojnë qëndrimin unik të Aleancës Kosova e Re”.
“I bëjmë me dije kryeministrit Ramush Haradinaj, se nëse ministri Sefaj nuk vazhdon punën në ministri, Aleanca Kosova e Re do të largohet nga koalicioni qeverisës”, ka kërcënuar Sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli.