Aleanca Kosova e Re ka vlerësuar deklaratën lidhur me pajtimin e arritur midis Malit të Zi dhe Kosovës për nënshkrimin e një Aneks marrëveshje për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit midis dy vendeve, si shumë të rëndësishme për procesin integrues të Kosovës.
Përmes një komunikate për shtyp, AKR ka ftuar të gjitha palët që të implementojnë sa më shpejt marrëveshjen.
Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të AKR-së:
Aleanca Kosova e Re e mbështet fuqishëm përparimin në lidhje me këtë çështje, dhe fton të dy palët të veprojnë sa më shpejt në implementimin e marrëveshjes në tërësinë e saj, së bashku me aneksin.
Që në vizitën e parë si ministër i jashtëm në Podgoricë, Presidenti i AKR-së, zotëri Behgjet Pacolli, ka punuar fuqishëm për kapërcimin e pengesave në implementimin e Marrëveshjes, në kërkim të zgjidhjeve pajtuese që ofrohen gjatë zbatimit teknik të saj në terren.
Kësisoj mbyllet përfundimisht një kapitull diskutimesh, debatesh politike, që megjithë efektet negative, i ka shërbyer politikës sonë të brendshme në maturimin e saj, dhe nuk ka prekur konsolidimin e marrëdhënieve shumë të mira me Republikën e Malit të Zi.
Ne ftojmë gjithë partitë tashmë të shohin para drejt procesit të integrimit evropian, që nis me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.