Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të marte në aksin nacional Delvinë–Sarandë, pranë kthesës për në fshatin Bajkaj.
Sipas të dhënave paraprake, në afërsi të një pike karburanti, autobusi i linjës Delvinë–Sarandë, me drejtues Vangjel Zoto, ka goditur 65-vjeçarin Agim Vocka, banor i fshatit Bajkaj, i cili po lëvizte në këmbë.
Pas aksidentit, drejtuesi i autobusit është larguar fillimisht nga vendngjarja, ndërsa më vonë është kapur nga shërbimet e Policisë së Delvinës. Nga testi i alkoolit, drejtuesi ka rezultuar me vlerën 0.00 mg/l.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës, të cilat po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit, shkruan A2, transmeton Klankosova.tv.
65-vjeçari është transportuar fillimisht me ambulancë në Spitalin e Sarandës. Sipas burimeve spitalore, ai ka pësuar traumë të rëndë në kokë dhe gjendja e tij është vlerësuar e rëndë.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, është vendosur transportimi i tij me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Helikopteri është ulur në pistën e Portit të Sarandës, ku 65-vjeçari është transportuar me ambulancë nga spitali dhe më pas është nisur drejt Tiranës.