Tre persona kanë vdekur si rezultat i një aksidenti që ka ndodhur në Autostradën Prishtinë – Shkup, saktësisht në afërsi të fshatit Babush.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Luljeta Mehmeti nga Policia e Kosovës.
Në aksident janë përfshirë tri vetura. Mehemti thotë se autoritetet kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Mund të konfirmojmë se sot rreth orës 19.00 ka ndodhur një aksident trafiku në mes të 3 veturave në Autostradën Prishtinë – Shkup, në afërsi të Babushit. Policia e Kosovës i është përgjigjur rastit menjëherë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, Ekipet Mjekësore si dhe Kompanitë për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Autostradës”, konfirmon Mehmeti.
Tutje, Mehmeti tregon se tre personat e përfshirë në aksident kanë vdekur.
“Si pasoj e aksidentit ekipet mjekësore kanë konstatuar vdekjen e tre personave. Njësitë Policore dhe institucionet tjera janë ende në vendngjarje duke u marrë me rastin”, tha Mehmeti.