Një fëmijë 5 vjeçar ka vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në fshatin Runikë të Skenderajt. Rastin për KOHËN e ka konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës.
Zahiti ka thënë se është lënduar edhe një person i moshës madhore, ndërsa aksidenti ka ndodhur sot në orën 14:00.
“Sot rreth orës 14:20, në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë, gjegjësisht në fshatin Runikë të Skenderajt, ka ndodhur një aksident trafiku, ku për pasojë një (këmbësore) fëmijë i moshës pesë vjeçare ka vdekur, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe një këmbësore e moshës madhore”, ka thënë Zahiti.
Ai ka theksuar se në aksident janë përfshirë dy vetura, ku njëra ka dalë nga rruga dhe i ka goditur dy këmbësorë.
“Bazuar ne hetimet fillestare në aksident ishin të përfshira dy automjete civile me targa vendore, ku si pasojë e aksidentit njëra nga veturat del jashtë shiritit rrugor ku në trotuar godet dy këmbësoret të cilat me urgjencë ishin dërguar në QKMF- Skenderaj, me ç’ rast mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet tutje.
Ngasësve të dy automjeteve të përfshirë u është caktuar masa e ndalimi prej 40 orëve, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.