Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje lidhur me aksidentin e së premtes në fshatin Hodonoc të Kamenicës, ku një person ka vdekur dhe tre janë të lënduar.
Policia njofton se në mesin e të lënduarve është edhe një foshnje gjashtë muajsh.
“Fsh. Hodonoc, Kamenicë 24.02.2023 – 10:30. Një mashkull kosovar ka vdekur si pasojë e plagëve të marra në një aksident trafiku në mes të dy veturave. Po ashtu gjatë aksidentit lëndime trupore kanë pësuar edhe dy femra (njëra prej tyre foshnjë 6 muajsh) bashkudhëtare me viktimën si dhe drejtuesi i veturës tjetër të përfshirë në aksident”, thuhet në njoftim.
Aksidenti dyshohet se ka ndodhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori që ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në obduksion.