Një autoblindë e Policisë së Kosovës është përfshirë në një aksident komunikacioni të premten në mbrëmje në veri.
Për pasojë, tetë policë kanë mbetur të lënduar. Asnjëri nga ta nuk është në rrezik për jetën.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur në Grabovc të Leposaviqit, por nuk ka dhënë shumë detaje.
“E kam informacionin për aksident. Asnjë nga policët nuk është në rrezik për jetën”, ka thënë shkurt ai për Reporteri.net.
Për më shumë detaje për gjendjen e tyre, Elshani ka thënë t’i drejtohemi Spitalit.
Burimet e Reporterit bëjnë me dije se të lënduar kanë mbetur tetë zyrtarë të Policisë së Kosovës nga Njësia Speciale Operative e Mitrovicës.