Aksioni kundër kontrabandës me armë, në mesin e të arrestuarve edhe një polic serb

Prishtinë | 19 Mar 2025 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

(E përditësuar) Policia e Kosovës ka arrestuar 16 persona në operacionin e zhvilluar të mërkurën në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe në Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq.

16 persona janë shoqëruar në polici, 13 prej tyre janë ndaluar për 48 orë.

Në mesin e të ndaluarve, klankosova mëson se është edhe një polic serb, i cili dyshohet për vepren penale ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.

11:30 – Përfundon aksioni i policisë në Mitrovicë – 21 lokacione, 16 të arrestuar

Ka përfunduar aksioni policor në 21 lokacione në Mitrovicë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, i cili bëri të ditur se janë arrestuar 16 persona.

Preteni gjithashtu njoftoi se me vendim të prokurorit, 13 nga 16 të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.

10:45 – Aksion i policisë në jug dhe veri të Mitrovicës kundër kontrabandimit me armë dhe municion

Policia e Kosovës ndërmorri një aksion në jug dhe veri të Mitrovicës, raporton Ekonomia Online.

Aksioni ka të bëjë me luftimin e veprimtarive kriminale, të kontrabandimit me armë dhe municion, konfirmoi Policia e Kosovës.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka filluar realizimin e një operacioni policor, i cili përfshinë dy rajone të Kosovës, atë DRP Mitrovicë Jugu dhe DRP Mitrovicë Veri. Operacioni policor ka të bëjë me luftimin e veprimtarive kriminale, të kontrabandimit me armë dhe municion”, tha për Ekonomia Online zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Sipas policisë, pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë.

Të ngjashme