Policia e Kosovës ka zhvilluar aksion të ri kundër fajdeve. Aksioni është kryer në disa lokacione në rajonin e Gjilanit.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se ka arrestuar dy persona të dyshuar, e një mbetet në kërkim policor.
Dy të arrestuarit dyshohet se kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj një personi me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme materiale në shumë mbi 600 mijë euro.
Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha veprimtarive të kundërligjshme dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Një aksion i tillë është zhvilluar edhe dje në rajonin e Pejës dhe Prishtinës, ku janë arrestuar pesë të dyshuar.