Aksioni i Speciales, vazhdon bastisja te shtëpia e ish-shefit të AKI-së

Prishtinë | 30 Tet 2023 | 10:19 | Nga Gzim Mujaj

Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës e ka bastisur shtëpinë e ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smaka, e që ishte edhe ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.

Operacioni i Prokurorisë përfshiu edhe bastisjet në shtëpinë e Blerim Shalës, një tjetër ish-këshilltari të Thaçit.

Bashkim Smakaj ka qenë drejtori i parë i AKI-së, pozitë të cilën e mbajti për një mandat të plotë, mirëpo pas riemërimit, ai dha dorëheqje.   Ndërsa, Blerim Shala është figurë e njohur në Kosovë, për shumë vite ka qenë gazetar, politikan dhe së voni edhe këshilltar i ish presidentit Hashim Thaçi.

Ish-presidenti Thaçi dhe katër ish-krerë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohen për krime lufte nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Bashkë me Thaçin, të akuzuar janë edhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Gjykimi ndaj tyre, i cili ka nisur një vit më parë, vazhdon ende.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020. Në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm. Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Të ngjashme