Në reagimin e tyre, OSBE ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive me BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dialogut dhe për të shmangur veprimet destabilizuese
Misioni i OSBE-së në Kosovë janë shprehur të shqetësuar pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri ndaj zyrave financiare, duke i bërë thirrje Kosovës e Serbisë t’i shmangin veprimet që mund të dërgojnë në përshkallëzim të situatës.
Në reagimin e tyre, OSBE ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive me BE-në për të gjetur një zgjidhje brenda dialogut dhe për të shmangur veprimet destabilizuese.
Tutje, kanë thënë se mirëpresin përpjekjet e BE-së për të gjetur një zgjidhje për transferet me para të gatshme.
“Është thelbësore që të dyja palët të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive me BE-në për t’i zgjidhur këto çështje brenda dialogut, për t’i shmangur veprimet destabilizuese dhe për t’i bërë prioritetet kryesore interesat dhe mirëqenien e banorëve nga të gjitha komunitetet”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
Gjatë aksionit të së hënës, Policia e Kosovës i mbylli gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian e quajti këtë veprim të Qeverisë së Kosovës, veprim të pakoordinuar dhe përshkallëzues.