Në aksionin për falsifikimin e rezultatit zgjedhor në Malishevë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi ka njoftuar se nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar gjithsej 15 kryesues dhe 43 komisionerë, e ku për 15 kryesuesit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, raporton Ekonomia Online.
“Nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar gjithsej 15 kryesues dhe 43 komisionerë. 15 kryesues aktualisht janë të ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokuroria do të vendosë në lidhje me masën e sigurisë. Po ashtu për 43 komisionerët e tjerë jemi në vlerësim e sipër për ndonjë masë eventuale pasi që në këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë të Departamentit për Krime të Rënda”, tha ai.
Gashi ka njoftuar se në Malishevë kanë qenë 75 vendvotime, ku 9 mijë e 57 vota janë të shtuara, ndërsa 7 mijë e 996 janë të hequra.
Në total, diferenca ka qenë 17 mijë e 53 vota.
“Në komunën e Malishevës gjithsej kanë qenë 75 vendvotime, dhe nga këto vendvotime 9 mijë e 57 vota janë të shtuara dhe 7 mijë e 996 janë vota të hequra. Pra gjithsej në total kemi 17 mijë e 53 vota”, tha Gashi.