Është pastruar “Lagjja 028” në Fushë Kosovë, lagje kjo e përbërë nga një shumicë e komunitetit rom.
Aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, ka zhvilluar këtë aktivitet në kuadër të projektit “Let’s Green It”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe e përkrahur nga BGF dhe INDEP, raporton EkonomiaOnline.
Nënkryetari i komunës për komunitete, Qerim Gara, njëkohësisht përfaqësues i komunitetit ashkali, ka thënë se kjo pikë ku janë sot nuk është problemi i vetëm, por që problem ka edhe në 4-5 pika të tjera. Ai ka përmendur edhe rastin e vitit të kaluar të vdekjes së një fëmije në një nga këto pika, duke thënë se do të vazhdojnë të përkrahin aktivitete të tilla pastrimi.
“Në lidhje me këtë ne do të marrim edhe shumë sëmundje të tjera nëse nuk fillojmë dhe ne si komunë do jemi pranë jush aq sa mundemi”.
“Ne si komunë shumë herë i kemi pastruar, por me thënë të drejtën këtu është fukarallëk i madh ku të gjitha mbeturinat që bëhen, edhe prej Prishtinës, edhe kah mos, na vijnë nëpër lagje. Jo vetëm komuniteti por të gjitha fshatrat e kanë gjetë një vend ku vijnë i shprazin, dije pa dije, ne nuk mund t’i ruajmë të gjithë me policë, se ne me mujt me i zënë, ata do ta marrin dënimin e merituar, por nuk mund t’i zëmë, i qesin natën”.
Gara ka thënë se megjithëse MKRS-ja i ka lejuar 100 mijë euro për fushë sporti, ai shprehet se obligim i tyre si komunitet është ta kenë pronën, që në të vërtetë nuk e posedojnë për shkak të deponive dhe hekurudhës.
“Ne prej dy gjërave jemi në zor në këtë lagje: prej qenve endacakë dhe prej mbeturinave. E dini për qentë si e kemi programin, e kemi zvogëlu pak numrin e tyre, por prapë kemi problem. Nuk na lejojnë me i vra, por duke i çu nëpër vende të tjera. Në Graçanicë dhe në Prishtinë”.
“Është pak problem në komunitetin tonë, sepse këtu asnjë shtëpi nuk ka vend, 1 ari e gjysmë, 2 ari, dhe ai kontejner me qenë në oborrin e tij është e vështirë dhe në këtë vend nuk lejojnë me qitë kontejnerë sepse është pronë e hekurudhës”.
“Për këtë fushë ne kemi kërku një fushë sporti të vogël për komunitet, por nuk na ka leju hekurudha, bile drejtori i hekurudhës, mua si përfaqësues i komunitetit ashkalijë, me 5000 ashkalijë që i kam, nuk më ka pranu as me bisedu, jo vetëm mu por as kryetarin e komunës”.
Luan Hasanaj, Let’s do it Kosova, ka thënë se ky komunitet me mbetë deponi është i rrezikuar dhe se institucionet nuk po ndërmarrin asgjë, ndërsa e ka quajtur alarmante këtë situatë, raporton EO.
“Zakonisht institucionet janë të prira që ta drejtojnë gishtin nga njëra-tjetra dhe fatkeqësisht situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa zgjidhje”.
“Publikisht zotohem se organizata jonë do të kërkojë përgjegjësi prej secilit institucion, që është përgjegjës që këto hapësira si kjo këtu të kthehen në shërbim të komunitetit. Po i premtoj edhe nënkryetarit se do flasim me institucionet përgjegjëse edhe me hekurudhën që këto zona duhet të lejohen të përdoren për të mirën e komunitetit sepse po shihet se janë të stërmbushura me mbeturina, dhe nuk e di çfarë arsyetimi kanë që nuk e kanë leju fushën, e i lejojnë mbeturinat. Nëse nuk e lejojnë fushën, le të kujdesen për këtë hapësirë këtu që të mos rrezikohet komuniteti që jetojnë këtu”.
Ai ka treguar për fazën pas pastrimit të kësaj deponie, për të cilën ka thënë se do të shndërrohet në hapësirë të gjelbër.
“Të kthehen në zona të gjelbra dhe të provohet që të bëhen të përdorshme për aktivitete rekreative për komunitetin. Pas pastrimit do të mobilizohet kjo zonë, do mbjellim bar, do ta bëjmë edhe fushën për fëmijë”.
“Situata aktuale është alarmante dhe nuk guxon të mbetet kështu”.
Të shumtë ishin edhe fëmijët e këtij komuniteti që dolën vullnetarë për të pastruar zonën ku jetojnë dhe veprojnë çdo ditë, megjithëse sot duhej tu drejtoheshin shkollës dhe vijimit të mësimeve.