Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) gjatë monitorimit sistematik gjatë vitit 2024, ka monitoruar nga afër edhe rastet e natyrës korruptive, e për të cilat ka interes të lartë publik.
Rastet me interes të lartë publik, për të cilat shkalla e parë mori vendim gjatë vitit 2024 janë: rasti i njohur si “53 milionëshi”, rasti “Toka”, rasti i ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, rasti i ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe rasti i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Po ashtu, aktgjykim nga shkalla e parë është marrë edhe në disa prej rasteve të subvencioneve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, në çështje të tjera, si rasti i njohur “Veteranët” dhe raste të subvencioneve, gjykimi është duke vazhduar në shkallën e parë.
Ndërkaq, gjatë vitit 2024, u ngritën edhe aktakuza e filloi gjykimi edhe për raste tjera me interes të lartë publik, si gjykimi ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, të cilit iu ngrit edhe një aktakuzë për korrupsion më 30 dhjetor 2024, dhe nisi gjykimi ndaj ish-prokurorit Metush Biraj.
Kurse, ish-zëvendës/sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Instrastrukturës (MMPHI), Izedin Bytyqi, u arrestua pas një aksioni në Ministri në nën dyshimin për korrupsion. Të njëjtit iu ndërpre masa e arrestit shtëpiak në dhjetor. Pas tij, u ndalua edhe Naser Hafizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në MMPHI, i cili ende gjendet në paraburgim.
Më 29 mars 2024, ambasadori Martin Berishaj u intervistua nga Prokuroria Speciale me dyshimet për veprat penale ‘Shpëlarja e parave’, ‘Shmangia nga tatimi’ dhe ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’. Po ashtu, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është intervistuar në prill 2024 në Prokurorinë Speciale, në cilësi të të dyshuarës për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” për rastin e rezervave shtetërore.
Më poshtë janë paraqitur disa nga rastet e mëdha të korrupsionit, të cilat janë monitoruar nga IKD gjatë vitit 2024.
Për rastin e njohur si “53 milionëshi”, nga Gjykata Themelore në Prishtinë u shpall aktgjykim dënues në janar të 2024-ës. Ish-ministri Pal Lekaj u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tij, po ashtu u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim. Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Për këtë rast, Apeli edhe nuk ka marrë vendim.
Pal Lekaj, Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha, akuzoheshin se kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit R6”. Konkretisht, akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe se buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.
Ndër të tjera, në këtë aktakuzë thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.
Ky veprim, sipas Prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 dhjetor 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, duke e dënuar me 3 vjet burgim efektiv për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Aktgjykim dënues u shpall edhe për 13 të akuzuarit tjerë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”: Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq, Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu.
Kurse, për “Pjesëmarrje dhe organizim të grupit kriminal”, të gjithë të akuzuarit u liruan nga akuza.
Jabllanoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 3 vjet burgim efektiv. I akuzuari Haxhi Bejta, për veprën penale penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim.
I akuzuari Aleksandar Ackoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim efektiv. Të njëjtit iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike dhe shërbim publik për dy vite, pas mbajtjes së dënimit me burgim.
I akuzuari Aleksandar Kostiq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 1 vit burgim. Iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 1 viti, pas mbajtjes së dënimit me burg.
Po ashtu, i akuzuari Çedomir Timotijeviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim efektiv dhe iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vite pas mbajtjes së dënimit me burg.
Bojan Banoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim. Atij iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vite pas mbajtjes së dënimit me burg.
Mirosllav Ivanoviq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 2 vjet burgim efektiv.
Të akuzuarit e lartpërmendur, për veprën “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, janë dënuar për kryerjen e saj në bashkëkryerje.
Kurse, i akuzuari Ivan Kadiq, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 6 muaj burgim efektiv. Ky dënim, me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Të njëjtit iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 1 viti.
I akuzuari Boban Millovanoviq për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, u dënua me 6 muaj burgim efektiv. Ky dënim, me pëlqimin e tij mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro. Edhe atij, iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 1 viti.
Të akuzuarit e lartcekur, janë shpallur fajtorë për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje dhe vazhdimësi.
I akuzuari Xhemajl Ferizi, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, u dënua me 500 mijë euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Po ashtu, i akuzuari Haki Haxhiu, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, u dënua me 500 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
I akuzuari Mehdi Haxhiu, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, u dënua me 500 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Edhe Mensur Rama, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, u dënua me 50 mijë euro gjobë dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti.
Dhe në fund, Nijazi Musliu, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, u dënua me 100 mijë euro gjobë dhe me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili me pëlqimin e të akuzuarit mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 30 mijë euro.
Aktakuza ngarkonte Dragan Jabllanoviqin, ish-kryetar i Leposaviqit për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq. Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, të cilët ngarkoheshin për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtator 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Të pandehurit në këtë rast, akuzoheshin se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.
Në rastin e njohur si “Toka”, Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 dhjetor 2024, ka shpallur aktgjykim ndaj Azem Sylës dhe 17 të akuzuarve tjerë. Ish-deputeti Syla, Gazmend Gashi, Avni Maxhuni, Elheme Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj, u liruan nga akuzat.
Ndërsa, Shaban Syla, Shpresim Uka, Lubisha Vujoviq, Ilaz Syla, Arton Vila, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Sabedin Haxhiu dhe Vidosav Novakoviq, u dënuan me 39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë (së bashku).
Sipas Gjykatës, është vërtetuar tjetërsimi i pronave për disa të pandehur, ndërsa për disa të tjerë nuk është arritur të vërtetohet një gjë e tillë.
I akuzuari Shaban Syla u shpall fajtor për krim të organizuar, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe pastrim të parave në vazhdimësi, duke u dënuar me 7 vite burgim dhe 50 mijë euro gjobë. I akuzuari Shpresim Uka u shpall fajtor për krim të organizuar, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe pastrim të parave në bashkëkryerje, ku u dënua me 7 vite burgim dhe 50 mijë euro gjobë. I akuzuari Lubisha Vujoviq u shpall fajtor për krim të organizuar, mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme dhe u dënua me 4 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë.
Kurse, i akuzuari Ilaz Syla u shpall fajtor për pikat 23 dhe 24 të aktakuzës për pastrim të parave, mashtrim dhe krim të organizuar, dhe u dënua me 3 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
I akuzuari Arton Vila u shpall fajtor për krim të organizuar dhe pastrim të parave, u dënua me 5 vite burgim dhe 40 mijë euro gjobë.
Kurse, Ramadan Uka u shpall fajtor për krim të organizuar, mashtrim, pastrim të parave në bashkëkryerje, duke u dënuar me 5 vite burgim dhe 40 mijë euro gjobë. Abdurrahman Brajshori u shpall fajtor për krim të organizuar, mashtrim dhe pastrim të parave dhe u dënua me 3 vite burgim dhe 30 mijë euro gjobë.
I akuzuari Sabedin Haxhiu u shpall fajtor për shpërdorim të pozitës zyrtare, kurse u lirua nga akuza për marrje ryshfeti në vazhdimësi dhe për pastrim të parave. Ai u dënua me 1 vit burgim. Kurse, Vidosav Novakoviq u shpall fajtor për krim të organizuar dhe mashtrim, u dënua me 4 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë. Për të akuzuarin Ndue Palushi është hudhur aktakuza për legalizim të përmbajtjes së rreme, për shkak se ka arritur parashkrimi.
Në këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur dy aktakuza, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihej edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.
Aktakuza i ngarkonte të akuzuarit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Të njëjtit akuzoheshin se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive. Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.
Ndërkaq, në rastin “Toka 2”, fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta. Të gjithë të pandehurit akuzoheshin për blerjen e 36 hektarëve tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, sesa çmimi real i tregut.
Ndërsa, ishte aprovuar pjesa e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.
Në këtë rast, të akuzuarit Mehmet Prishtina, Nexharije Hoti, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, po akuzohen për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera. Kurse, ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ky rast është ende duke u gjykuar, ku sipas monitorimit të IKD, seanca e fundit ishte caktuar për 5 dhjetor 2024. Mirëpo, kjo seancë kishte dështuar të mbahej.
Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 korrik 2024, shpalli aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ish-ministrit Bajram Hasani, Bashkim dhe Malë Krasniqit, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime rreth “Zonës ekonomike” të Malishevës.
Begaj dhe Hasani u dënuan me nga 2 vite e 6 muaj burgim secili, kurse Bashkim dhe Malë Krasniqi u dënuan me nga 2 vite burgim. Kurse, u liruan nga akuza Hajdin Berisha, Faton Thaqi, Ahmet Rrahmanaj dhe Nazimi Kafexholli. Për këta katër të fundit, gjykata nuk ka arritur të provojë se kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.
Begaj akuzohej se veprën për të cilën ngarkohej e ka kryer në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, Bajram Hasani në cilësi të ministrit të atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë dhe Faton Thaqi si zëvendësministër i kësaj ministrie. Ata akuzoheshin se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.
Kurse, Bashkim Krasniqi akuzohej se veprimet i kishte kryer në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, e Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës.
Këta të fundit, së bashku me Thaqin, akuzoheshin se duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.
Kurse, Malë Krasniqi akuzohej se pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.
Ndërkaq, Nazmi Kafexholli, akuzohej se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.
Ndërsa, Rrahmanaj akuzohej se nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.
Edhe në rivendosje, Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2024 ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj ish-sekretarit të MI-së, Betim Reçica, Valmira Bllacës, Zymer Avdullahut, Jetmir Alajt, Emir Morinës, Blerim Dinës, Nuhi Paçarizit, Izedin Bytyqit dhe Muhamet Gashit, të cilët akuzoheshin për korrupsion lidhur me projektin e rrugës Prizren-Prevallë.
Fillimisht, Themelorja kishte hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Zymer Abdullahut, Jetmir Alajt, Emir Morinës, Blerim Dinës, Nuhi Paçarizit dhe Muhamet Gashit. Pastaj, Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë pasi ishte hudhur pjesërisht aktakuza ndaj 6 zyrtarëve për projektin e rrugës Prevallë-Prizren.
Në vendim, ishte thënë se ankesat janë të bazuara dhe sipas detyrës zyrtare aktvendimi i ankimuar për pikën I dhe II të dispozitivit të aktvendimit, anulohet dhe çështja i kthehet në rivendosje gjykatës së shkallës së parë.
Kurse, sipas të njëjtit vendim ishte refuzuar kërkesa e mbrojtësve të të akuzuarve, Betim Reçica Valmira Bllaca dhe Izedin Bytyqi, lidhur me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Bllaca edhe për veprën penale falsifikim të dokumentit zyrtar. Kurse, për Goran Milenkoviqin në seancën e 17 tetorit 2023 ishte bërë veçimi i procedurës për shkak se nuk ishte i pranishëm në atë seancë, me ç’rast për të ishte lëshuar edhe fletërreshtim ndërkombëtar.
Aktakuza ishte ngritur më 23 gusht 2023 ku akuzoheshin Betim Reçica, Valmira Bllaca, Zymer Abdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Izedin Bytyqi dhe Muhamet Gashi, në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës. Në po të njëjtin rast akuzoheshin edhe Blerim Dina në cilësinë e kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), si dhe Nuhi Paçarizi e Goran Milenkoviq, në cilësinë e anëtarëve të OSHP-së.
Të akuzuarit në këtë rast, ngarkoheshin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Falsifikim të dokumentit zyrtar”. Akuzoheshin se me qëllim që disa operatorë ekonomikë të përfitonin dobi pasurore, fillimisht e ndryshuan vlerën e projektit nga 2,000,000.00 euro sa i dispononin sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2019, në 17,054,508,24 euro.
Në aktakuzë pretendohej se të akuzuarit me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 12 milionë e 493 mijë e 583 euro e 97 centë, si dhe dëm material dhe jomaterial operatorëve ekonomikë tjerë, të cilët në kushte të barabarta do të mund të aplikonin.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 7 maj 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime në tenderin për Autostradën e Gjilanit.
Sipas Gjykatës, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria. Rasti gjendet në Gjykatën e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021, Betim Reçica akuzohej se si ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues OE “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili për shumën prej 1 milion e 630 mijë e 487 euro kishte ofruar çmim më të ulët. Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Reçica akuzohej edhe se si sekretar i përgjithshëm në MI nxori vendim për pagesën e shtesave në pagë për 14 zyrtarë të kësaj ministrie edhe pse ishin të angazhuar në detyra të rregullta. Po ashtu, akuzohej se ka nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj. Me këto veprime, Reçica ngarkohej me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”. Ai ngarkohej edhe për “Shpëlarje të parave” se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturë që e ka regjistruar në emër të vëllait.
Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzoheshin se për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomikë që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve. Me këto veprime, ngarkoheshin se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohej edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe e ka shpallur këtë OE të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore. Me këto veprime, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.
Gjatë vitit 2024, një prej rasteve që përfundoi me aktgjykim lirues, ishte rasti i zëvendëskryeministres, njëherësh ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla. Më 19 nëntor 2024, ministrja Gërvalla u lirua nga akuza për mosraportim të pasurisë.
Mes tjerash, gjykatësi në këtë rast kishte theksuar se nga përshkrimi ligjor, deklarimi i pasaktë i pasurisë së ligjshme paraqet kundërvajtje dhe jo vepër penale, pra çdo mosdeklarim i saktë i pasurisë është kundërvajtje. Kishte konstatuar se zyrtari publik inkriminohet vetëm nëse pasurinë nuk e ka deklaruar fare, nëse e ka deklaruar pasurinë rrejshëm dhe atë pasuri e ka fituar në mënyrë të paligjshme, e që të njëjtën nuk mund ta arsyetojë.
Ministrja Gërvalla akuzohej për mosraportim të saktë të pasurisë. Konkretisht, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Vepër kjo e cila hyn në kuadër të kapitullit “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”.
Ajo akuzohej se në formularin për deklarimin e pasurisë më 22 mars 2021, nuk i ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj. Më saktësisht, në aktakuzë thuhej se e njëjta nuk e ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.
Po ashtu, në akuzë thuhej se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik – Komuna e Deçanit. Ndërsa, thuhej se e ka deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2. Për më tepër, në aktakuzë thuhej se e njëjta nuk e ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.
Përndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare. Kurse, katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia kundër Korrupsionit, tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, kishte njoftuar se ende është duke e trajtuar rastin e ministres Gërvalla.
Gjatë vitit 2024 kanë vazhduar gjykimet edhe në disa raste tjera të natyrës korruptive, për të cilat gjithashtu ka pasur interes të lartë publik si rasti i “Veteranët” dhe rastet e “Subvencioneve”. Në disa prej këtyre të fundit, pati edhe vendim nga gjykata e shkallës së parë.
Gjatë vitit 2024 ka vazhduar gjykimi edhe në rastin e njohur si “Veteranët”, ku akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Sipas aktakuzës, që është dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro, duke u paguar veteranët që nuk kanë plotësuar kriteret ligjore.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Gjatë vitit 2024, sipas monitorimit të IKD-së, janë caktuar 13 seanca, ku tetë prej tyre janë mbajtur, kurse pesë kanë dështuar të mbahen. Sipas monitorimit, seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur më 10 dhjetor 2024.
Sa i përket rasteve të “Subvencioneve”, ato janë duke u gjykuar gjashtë aktakuza të ndara.
Në rastin “Subvencionet 1” pretendohet se buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej më shumë se 600 mijë euro. Kurse në rastet e tjera pretendohet për dëme prej mijëra, dhjetëra e qindra mijëra euro.
Në këto raste pretendohet se buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm me qindra mijëra euro, përmes veprimeve të ndryshme, si keqpërdorime, mashtrime e ryshfet. Kurse, koha e kryerjes së atyre veprave penale, kryesisht pretendohet të jetë nga gjysma e vitit 2020, e në vazhdimësi.
Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”, të cilët janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj, Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.
Në rastin “Subvencionet 1“, gjykimi për disa të akuzuar ka marrë epilog në shkallë të parë, ndërsa për të tjerët është drejt fundit.
Kurse, aktakuza në rastin “Subvencionet II” u ngrit më 22 dhjetor 2022, në të cilën Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramdan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe ushtrim ndikimi. Dosjen e plotë të Prokurorisë në rastin “Subvencionet II”.
Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka nxjerrë dy aktgjykime të ndara, ku janë dënuar 10 nga të akuzuarit. Kurse, gjykimi po vazhdon të për akuzuarit tjerë.
Sa i përket rastit “Subvencionet 3”, më 22 janar 2024, tre të akuzuar: Bejtush Gashi, Arbër Avdijaj dhe Sadush Kabashi janë dënuar me 16 mijë euro gjobë (së bashku).
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.
Po ashtu, në “Subvencionet 4”, më 13 mars 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve Gjon Musolli dhe Halit Berisha, duke i dënuar (së bashku) me dënim unik prej 3 vjet e gjysmë burgim dhe 7 mijë euro gjobë. Ndërkaq, ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Ndryshe të akuzuar në këtë rast janë edhe: Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Berat Nika, Sabit Shkodra, Musa Nivokazi, Bajram Gashi, Pajtim Krasniqi dhe Lulzim Hajdari, për të cilët vijon procesi gjyqësor. Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, 10 të akuzuarit të gjithë së bashku ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim në detyrë”, “Ndihmë në veprën penale marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti”, si dhe “Mashtrim me subvencione”.
Në rastin “Subvencionet 5”, më 13 maj 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar dhjetë të akuzuarit Burim Selmani, Kastriote Bajrami-Sejdiu, Adushe Ukshini, Valon Hoti, Granit Abdyli, Faruk Ymeri, Abdullah Tërstena, Blerton Ostergllava, Avdyl Sejdiu dhe Muzafer Maliqi, me 6 vite e 10 muaj burgim dhe mbi 30 mijë euro gjobë (së bashku).
Prokuroria Speciale më 21 mars 2024 ka ngritur aktakuzë në rastin “Subvencionet V” ndaj 18 të akuzuarve lidhur me keqpërdorimet me subvencione, duke i ngarkuar me veprat penale “Ushtrim ndikimi”, “Mashtrim me subvencione”, “Marrje ryshfeti”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Dhjetë tani të dënuarit, e kishin pranuar fajësinë.
E në rastin “Subvencionet 6” akuzohen 16 persona: Liridon Fondaj, Enver Ibishi, Luan Statovci, Berat Nika, Arton Elezi, Bashkim Mani, Salih Statovci, Almir Abdullahu, Ingrit Kuqi, Halil Krasniqi, Salih Ilazi, Festim Olluri, Milit Berisha, Halit Berisha, Sadat Qazimi dhe Fatmir Shala.
Raportimet lidhur me secilin prej këtyre rasteve dhe aktakuzat e plota, mund t’i lexoni duke klikuar këtu: Subvencionet 1; Subvencionet 2; Subvencionet 3; Subvencionet 4; Subvencionet 5; dhe Subvencionet 6.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 3 nëntor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj personit juridik-kompanisë “SA Sallahu” sh.p.k dhe dy personave fizikë: Lulzim Sallahut (pronar aksionar 100% i kompanisë) dhe ndaj Naim Sallahut.
I pandehuri Lulzim Sallahu, në cilësinë e pronarit dhe drejtorit të subjektit juridik “SA Sallahu” sh.p.k dhe “SA Sallahu” sh.p.k, me pronar dhe aksionar 100 % Lulzim Sallahu, po akuzohen për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, ndërsa i pandehuri Naim Sallahu po akuzohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Rasti ka të bëjë me tenderin “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”.
Gjykimi për këtë rast po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nebih Luzha, zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Lulzim Sallahu, pronar i operatorit ekonomik “Sallahu” sh.p.k., akuzohen për keqpërdorim me pagesën prej 196 mijë euro për punimet në rrugën Pejë-Kuqishtë-Çakorr.
Prokuroria Themelore në Pejë, më 28 qershor 2024, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Nebih Luzha dhe Lulzim Sallahu, pronar i operatorit ekonomik “Sallaku” sh.p.k., si dhe ndaj personit juridik “Sallahu” sh.p.k. Ata ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Dy të akuzuarit, në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë në korrik 2024, u deklaruan të pafajshëm.
Gjykata Themelore në Ferizaj, në janar të vitit 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj gjykatësit, Lekë Prenaj dhe të tjerëve të akuzuar për korrupsion, duke i dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim (së bashku).
I akuzuari Hilmi Kastrati u dënua me dënim unik me 10 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizim të përmbajtjes së rreme. Lekë Prenaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare u dënua me 6 muaj burgim. Kurse, të akuzuarit Shpëtim Pllana dhe Shkumbin Qehaja për veprën penale Legalizimi përmbajtjes së rreme u dënuan secili veç e veç me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh.
Kurse, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen penale, e cila tani po vazhdon të gjykohet sërish në shkallë të parë.
Sipas aktakuzës, Hilmi Kastrati dhe Lekë Prenaj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Po ashtu, Hilmi Kastrati, Shpëtim Pllana, Shkumbin Qehaja dhe Lekë Prenaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Prej rasteve me interesin më të lartë publik, për të cilat aktakuzat u ngritën gjatë vitit 2024, mund të konsiderohen dy aktakuzat ndaj Nagip Krasniqit për keqpërdorimet në KEK, si dhe aktakuza ndaj ish-prokurorit Metush Biraj.
Më 19 gusht 2024, PSRK ngriti aktakuzë ndaj Nagip Krasniqit, i cili akuzohet se KEK-ut i ka shkaktuar dëm mbi 3.2 milionë euro dhe mbi 500 mijë euro shmangie tatimore në dëm të Republikës së Kosovës.
Krasniqi akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ngarkohet se në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë.
Lidhur me këtë, në aktakuzë thuhet se kishte qenë në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE). Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë.
Më tej, thuhet se raporti i Zyrës së Rregullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë.
Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë. Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe e-mailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.
Gjithashtu, thuhet se ZRrE më 19 gusht 2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave, KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.
Ndaj Nagip Krasniqit, Prokuroria Speciale më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzë tjetër lidhur me rastin “KEK”, ku bashkë me të akuzohen edhe Ymer Dragusha dhe Isuf Zejna. Ata ngarkohen se gjatë periudhës kohore 2021-2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro.
Këto veprime, Krasniqi akuzohet se i ka kryer në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”.
Nagip Krasniqi akuzohet për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ymer Dragusha akuzohet për“Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, kurse Isuf Zejna për “Ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Krasniqi dhe Dragusha akuzohen se keqpërdorën detyrën gjatë zhvillimit të aktiviteteve të prokurimit në KEK, duke i shkaktuar këtij të fundit dhe buxhetit të shtetit dëm në shkallë të madhe. Po ashtu, Krasniqi ngarkohet për zbulim të fshehtësisë zyrtare gjatë komunikimeve me Dejona Mihalin. Kurse, Zejna akuzohet se ndihmoi Krasniqin që të keqpërdorë detyrën zyrtare.
Aktakuza ndaj ish-prokurorit Metush Biraj ishte ngritur pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi”, i transmetuar më 2 dhjetor 2023, me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”.
Ky emision shfaqte dyshimet se Biraj kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve në një rast (Naim Osmani, Ukë Sadrijajt dhe Arbër Salihut), ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.
Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve Shkodran Pulaj e Naim Osmani u ngrit në mars 2024, nga Prokuroria Themelore në Prizren. Mirëpo, marrë parasysh faktin se rasti kishte të bëjë me një ish-prokuror të atij regjioni, rastin e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan, e cila më pas lëndën e kishte deleguar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kjo e fundit më pas kishte hapur një konflikt për kompetencën lëndore, për të cilën Gjykata e Apelit kishte vendosur se si gjykatë kompetente për zgjidhjen e këtij rasti është Departamenti Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 mars 2024, Metush Biraj po akuzohet se në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20 mijë eurove.
Për këtë shumë, aktakuza thotë se e kishte pranuar për të vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31 mars 2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’.
Tutje, aktakuza thotë se Biraj këtë e ka bërë në bazë të premtimit të marrjes së të hollave siç rezulton nga lënda penale në Prizren kur arrestohet edhe tani i akuzuari Shkodran Pulaj për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe sekuestrohet një telefon i tipit “Samsung A52”. Sipas Prokurorisë, gjatë ekzaminimit të këtij telefoni nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike në Prishtinë se ka rezultuar se prokurori Biraj ka biseduar nëpërmjet rrjeteve sociale “Viber” me të akuzuarin Pulaj si dhe i akuzuari Naim Osmani ka biseduar me Pulajn nëpërmjet rrjetit social “Whats App”.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, nga CD dëgjohet duke komunikuar Pulaj dhe Biraj, e që nga biseda e lartcekur kuptohet se janë premtuar të holla në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja penale në rastin e lartcekur, e që këtë veprim Biraj e ndërmerr përkundër udhëzimeve nga ana e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren që të vazhdohet me ndjekjen penale.
Me këto veprime, Biraj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. Kurse, Pulaj dhe Osmanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit’’.
Seanca fillestare për këtë rast është mbajtur më 16 tetor 2024, ku ish-prokurori Biraj, Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani ishin deklaruar të pafajshëm. Raportimin lidhur me këtë rast si dhe aktakuzën e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU. Kurse, emisionin e “Betimi për Drejtësi” i cili shpërfaqi dyshimet e para për këtë rast, mund ta shikoni duke klikuar.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 13 dhjetor 2024 në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit ka publikuar raportin “Politika ndëshkimore në “krimet speciale”. Ky raport përfshinë gjetjet e analizimit të 103 aktgjykimeve të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe 52 vendimeve të Departamentit Special të Gjykatës së Apelit.
Sa i përket politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit, raporti i IKD-së gjen se ndaj 40 personave të dënuar, gjykatat kanë shqiptuar 75 dënime. Në 46 raste (61.3%) Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënim me burgim efektiv derisa në 29 raste të tjera (38.6%) është shqiptuar dënim me gjobë.
Sa i përket efikasitetit të trajtimit të rasteve të korrupsionit në Departamentin Sepcial të Themelores në Prishtinë, sipas raportit të publikuar nga IKD, periudha e trajtimit të lëndëve vazhdon të jetë e gjatë.
Sipas aktgjykimeve të analizuara, mesatarja e trajtimit të një rasti në këtë Departament është 709.2 ditë. Kështu, kohëzgjatja e trajtimit të rasteve shfaqet si problematikë edhe në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas raportit të publikuar nga IKD, numrin më të madh të të dënuarve për korrupsion sipas aktakuzave të PSRK-së e përbëjnë zyrtarët policorë dhe qytetarët dhe jo zyrtarët e nivelit të lartë. Ndaj 40 personave që nga Gjykata janë shpallur fajtorë, 24 prej tyre janë zyrtarë policorë apo qytetarë.
Sipas IKD-së, nga totali i personave të dënuar sipas aktakuzave të PSRK-së, 60% e të dënuarve janë zyrtarë policorë apo qytetarë. Pa këta zyrtarë policorë dhe qytetarë, përqindja e personave të dënuar nga Departamentit Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë sipas aktakuzave të PSRK-së do të ishte vetëm 22.8%, nëse të njëjtit nuk do të shpalleshin fajtorë, apo vetëm 34.7%, nëse aktgjykimet përkitazi me këto aktakuza nuk do të ishin subjekt i analizimit.
Kështu, IKD gjen se suksesi i PSRK-së në provimin e aktakuzave në raste të mëdha, sipas të cilave raste karakterizohet mandati i saj, është jashtëzakonisht i limituar.
Raporti i IKD-së thekson se në bazë të aktgjykimeve të analizuara, aktgjykime dënuese janë shqiptuar ndaj një ministri, një drejtor i AKI -së, një kryetari komune, një sekretari në ministri dhe një gjyqtari, ku shumica e këtyre vendimeve janë në shqyrtim në Gjykatën e Apelit sipas ankesave të parashtruara.
Në anën tjetër, IKD ka gjetur se Departamenti Special i Gjykatës së Apelit nuk ka ngarkesë të pamenaxhueshme me lëndë, me ç’rast u evidentua progres në lidhje me rastet e kthyera në rigjykim.
Gjithashtu, IKD ka gjetur se problematikë mbetet edhe mosaplikimi i dënimeve plotësuese, të cilat janë shqiptuar në vetëm 32.5% të rasteve. Ndërsa sa i përket çështjes së konfiskimit, në bazë të aktgjykimeve të analizuara, rezulton se në asnjë rast të vetëm të korrupsionit, Departamentit Special nuk ka vendosur të konfiskojë pasurinë e përfituar me vepër penale. Kurse, vendimi për konfiskim është përfshirë në vetëm një rast të korrupsion, por jo për vepër penale korruptive.