“E kanë cenuar sigurinë kombëtare”.
Kjo ishte përgjigja e ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për “keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar” për dëbimin e gjashtë shtetaseve turq nga Kosova në në drejtim të Turqisë, të njohur si “Gylenistët”, në vitin 2018.
Në aktakuzën ndaj tij për dëbimin e Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, të cilën e ka siguruar Albanian Post, ish kryespiuni ka thënë para hetueseve policorë se nuk mund t’i bëjë publike detajet e aksionit, i cili ishte zhvilluar para tri vjetësh.
“Sa i përket rrezikshmërisë kombëtare nuk mundem t’i bëjë publike detajet informative, për arsyeje siç kam deklaruar në deklaratën në cilësinë e dëshmitarit, se janë diku pesë pika mbi të cilat cenohet siguria kombëtare e Kosovës”, thuhet në deklaratën e Gashit.
Zbulimi i detajeve të aksionit, sipas Gashit, mund t’i zbardh metodat e punës të pjesëtarëve të AKI-së, prandaj duhet të ruhen informacionet.
“Për këto pesë pika kanë një klasifikim sekret dhe nuk jam i autorizuar t’i shpërndajë, janë mbledhur nga AKI-ja dhe janë nën autoritetin e saj që t’i mbrojnë ose t’i shpërndajnë dhe në raste të tilla jo vetëm AKI, por edhe agjencionet simotra i ruajnë informacionet me çdo kusht, sepse shpalosja e saj shumë herë mund t’i rrezikojë qoftë burimet inteligjencës, ose nga ekspertët e fushës mund të kuptohen edhe metodat e punës që janë thelb i një Agjencioni të Inteligjencës”.
Megjithatë, Gashi ka shtuar se “gjithçka ishte në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Sipas aktakuzës, ai shprehet i bindur që ka vepruar në kuadër të ligjeve dhe interesave të Kosovës, derisa e ka mohuar se janë nxitur nga ndonjë palë e tretë dhe se i vjen keq për ngjyrimet që i janë dhënë agjencionit pas kësaj ngjarje.
Pos Gashit, të akuzuar për këtë rast janë edhe Valon Krasniqi, drejtor në Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmani, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare.
Krasniqi ka treguar se lejet shtetaseve turq u janë revokuar në bazë të Ligjit për të huaj dhe janë njoftuar policia kufitare në mënyrë që të trajtojnë tutje rastin.
“Vendimet për revokimin e leje-qëndrimit i ka marrë udhëheqësi i Divizionit Shkodran Manaj për çka kam qenë edhe unë i njoftuar. Konsideroj që kam vepruar në përputhje me ligjin, por edhe sot nëse vjen në kërkesë e ngjashme nga AKI-ja ne duhet të veprojmë në mënyrë të njëjtë”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq i akuzuari tjetër Rrahman Sylejmani, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare, ka potencuar se nuk kanë pasur plan operativ për këtë çështje dhe se ishte njoftuar nga Drejtori i Departamentit të Shtetësisë, Valon Krasniqi.
“Udhëheqësit e grupeve për këtë çështje e kanë kuptuar një natë më parë dhe këtë e kanë kuptuar personat e lartcekur, që ishin udhëheqës, çdo që lidhet me këtë rast, si për vendndodhjen, për personat, dhe për fotografitë. Kurse policët të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë aksion lidhur me këtë çështje kanë kuptuar vetëm pasi kanë dalë në terren”, ka deklaruar Sylejmani.
Detaje për zhvillimin e aksionit për prangosjen e turqve ka dhënë zyrtari policor me inicialet I.M, pasi njëri nga të akuzuarit kishte tentuar t’i shpëtonte arrestimit nga zyrtarë policorë.
“Në veturë kanë qenë Yusuf me gruan dhe fëmijët, ndërsa Yusuf ka dashur ta ndez veturën dhe të ikë dhe për shkak të sigurisë, pasi i njëjti rezistoi ia kemi vendosur prangat”.
“Këta persona janë ndaluar në bazë të një vendimit mbi revokimin e leje qëndrimit dhe urdhrit të eprorit që na ka caktuar detyrat”, ka thënë zyrtari policor.
Por, sipas organit të akuzës për të akuzuarit ekziston dyshimi i bazuar se veprimet e tyre janë manifestuar elementet e veprës “penale të keqpërdorimit apo autoritet zyrtar”.
“Pretendimi i të akuzuarit kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, nuk është aprovuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit. Në bazë të kësaj kërkese i akuzuari Rrahman Sylejmani, Drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në MPB, nxjerri gjashtë urdhra për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Kosova”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
“I akuzuari Drtion Gashi nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës, as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit të AKI-së”.
Po ashtu sipas aktakuzës, pretendimet e të akuzuarit Valon Krasniqi se ka vepruar konform dispozitave ligjore, nuk është e bazuar, pasi ia kanë shkelë të drejtën të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë në kundërshtim me Ligjin për të huaj.
“Edhe i akuzuari tjetër Rramham Sylejmani e kishte shkelë ligjin pasi shtetasit turq të dëbuar kishin leje të ligjshme qëndrimi dhe pune në Kosovë”.
Ndërkohë në muajin e kaluar në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani.
Në dy seancat e mbajtura të akuzuarit kanë bërë kërkesë për hedhje të aktakuzës, të cilën e kanë dorëzuar me shkrimi pranë Gjykatës.
Për hetimin e rrethanave të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ishte krijuar Komision Hetimor Parlamentar në Kuvendin e Kosovës.
Në raportin e këtij komisioni janë identifikuar 31 shkelje, duke filluar prej vendimit për revokim të leje-qëndrimeve në Kosovë dhe urdhrit për dëbim me forcë të shtetasve turq, që sipas raportit, ishin në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, ishin bërë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.
Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.
Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht shtet në Turqi në vitin 2016.
Në kohën kur kishte ndodhur dëbimi i gjashtë turqve, në Kosovë disa media kishin raportuar se gjithçka u bë me urdhra nga krerë të lartë shtetërorë të Kosovës.
Operacionin e dëbimit e kishte hetuar edhe një komision parlamentar. Në një nga seancat ishte ftuar ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të dhënë një dëshmi.
Seanca kishte dështuar, meqë deputetët e opozitës në atë kohë dhe në anën tjetër Thaçi, kishin filluar përplasjet dhe ishte kaluar në ofendime e fyerje.
Thaçi më pas pati kërkuar hetim të vetë komisionit, meqë sipas tij, ishin ata që kishin bërë shkelje ligjore, kur punësuan një ekspert të jashtëm për ta bërë ekspertizën e rastit, shkruan AlbaniaPost.
Eksperti i huaj, Tienmu Ma, ishte edhe këshilltar në mandatin e parë të Albin Kurtit si kryeministër.