Përplasja mes Qeverisë dhe Bashkimit Evropian rreth hetimeve për sulmin në Banjskë, ngriti diskutimet se kush në fakt duhet t’ia dërgojë BE-së një raport hetimor për këtë sulm. Njohës të sistemit të drejtësisë thonë se prokuroria nuk i dërgon raport askujt, ajo zhvillon hetime dhe se për sanksionimin e Serbisë burim duhet të jetë raporti i Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Avokatët në vend thonë se Prokuroria Speciale është në rrugë të duhur në mbledhjen e provave që ta bindë Gjykatën se përkundër përpjekjeve të shumta, ka qenë e pamundur sigurimi i prezencës së të pandehurve në procedurë.
Avokati Ardian Bajraktari ka thënë për Ekonomia Online se PSRK-ja pritet që brenda këtij viti të ngrisë aktakuzë për këtë rast. Vlerëson se mënyra më e mirë tani për tani është gjykimi në mungesë.
“Prokuroria Speciale unë kam përshtypjen se është duke punuar në mënyrë intensive në drejtim të hetimit të kësaj ngjarje dhe e njëjta është brenda afateve të përcaktuara me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, përkatësisht nenit 157 dhe unë jam optimist që brenda këtij viti do të kemi aktakuzë të ngritur për Radojiçiqin dhe të tjerët”, ka thënë Bajraktari.
“Duhet të kemi parasysh edhe faktin që të pandehurit aktualisht vazhdojnë ta përdorin si strehë të tyre Serbinë, prandaj alternativë e vetme në këto rrethana mbetet çështja e gjykimit në mungesë dhe në këtë drejtim sipas nenit 303 të Kodit të Procedurës Penale, duhet angazhime shtesë të Prokurorisë për ta bindur Gjykatën që ka bërë përpjekje të arsyeshme edhe përkundër këtyre përpjekjeve ka qenë e pamundur sigurimi i prezencës së të pandehurit në procedurë. Prandaj të gjitha këto natyrisht që e bëjnë edhe më tepër kompleks këtë situatë, mirëpo siç e thash unë jam shumë optimist që brenda këtij viti do të kemi aktakuzë të ngritur për këtë rast”, ka thënë tutje Bajraktari.
Deklarata e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, se po presin një raport nga institucionet e Kosovës për të analizuar më tutje rolin e Serbisë në rastin e Banjskës, avokati Bajraktari po e cilëson si një prodhim tejet të rëndësishëm.
Ka thënë se do duhej të përfshiheshin mekanizma të cilët kanë rol dhe përgjegjësi në fushën e sigurisë në pjesën veriore siç është EULEX-i dhe KFOR-i.
“Në këtë drejtim, natyrisht që prodhimi i një raporti për ta parë rolin dhe përgjegjësinë, përkatësisht involvimin e Serbisë në këtë drejtim natyrisht që do të ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Për të qenë raport kredibil dhe i besueshëm, natyrisht që duhet me u përfshi edhe mekanizmat të cilët kanë rol dhe përgjegjësi në fushën e sigurisë me theks të veçantë në pjesën veriore, siç është EULEX-i dhe KFOR-i e mira së mirës do të ishte që ata të kenë rol aktiv. Mirëpo së paku në cilësinë e vëzhguesit, atëherë një raport i tillë natyrisht që do t’i argumentonte disa prej pretendimeve të cilat i kemi thënë edhe ne edhe eksponentë politikë sepse prapa këtij sulmi të 24 shatorit të vitit të kaluar qëndrojnë autoritetet serbe”, u shpreh Bajraktari.
Ndërsa, avokati tjetër, Tomë Gashi, nuk është shumë optimist se këtë vit do të ngritët aktakuzë për rastin “Banjska”. Ai ka thënë se Prokuroria Speciale duhet ta kryejë punën e saj dhe të mos definohen data.
“Nuk besoj që datat duhet të definohen por besoj që duhet ta lëmë Prokurorinë ta kryejë punën e vetë dhe sa ma mirë që Prokuroria e kryen punën e vetë dhe i gjen faktet që do i paraqes në Gjykatë është në të mirë të Kosovës dhe është në të mirë të sistemin tonë juridik”, ka thënë Gashi.
Tutje, përderisa në rastin e Banjskës të përfshirë kanë qenë EULEX-i dhe KFOR-i, Gashi ka thënë se ata kanë një raport dhe se ai raport gjendet në duart e ShBA-së. Ndërsa, emisarin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, avokati Gashi ka thënë se është duke luajtur një lojë në favor të Serbisë.
“Përveç Policisë tonë organeve kompetente të Republikës së Kosovës në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe KFOR-i edhe pjesëtarë të Policisë së EULEX-it, kështu që KFOR ka përpiluar raport edhe sigurisht se ata e kanë këtë raport. Ndërsa, Borrelli është duke e luajtur lojën në favor të Serbisë duke pretenduar që Kosova nuk i ka dërguar raport të hollësishëm apo të plotë lidhur me hetimet që po zhvillohen për këtë sulm terrorist që ka ndodh për më tepër se 9 muaj”, ka thënë avokati për EO.
“Borrelli e din shumë mirë se vjen nga një shtet i cili është poashtu shtet demokratik dhe që sistemi pak a shumë juridik është i njëjtë që politika nuk mund të ndikojë në gjyqësorin dhe Borrelli ndoshta po pret që Prokuroria jonë speciale e Republikës së Kosovës të ia dërgojë një raport të plotë për hetimet që po zhvillohen dhe kjo nuk është e mundshme dhe Borreli nuk duhej ta kërkonte një gjë të tillë por besoj që duke e ditur që Borrelli tani veç po i skadon mandati atëherë ky në mënyrë sipërfaqësore po deklaron që nuk është kërkuar kurrfarë sanksioni apo ndëshkimi ndaj Serbisë”, ka thënë Gashi.
Sa i përket deklaratave të Borrell, Gashi i quan të vakëta dhe që nuk i ndihmojnë stabilitetit në vend, derisa deklaroj se Borrelli po kërkon të fitojë kohë duke mos propozuar masat konkrete ndëshkuese ndaj Serbisë.
“Borrelli nuk është hera e parë që ka deklarata të tilla, shumë të vakëta të cilat nuk i ndihmojnë stabilitetit dhe që thjesht nuk ka kurrfarë vullneti, kurrfarë dëshire që të përpilojë raport meqenëse funksionet që bartë ai është tepër tepër i rëndësishëm dhe që pastaj Bashkimi Evropian apo shtetet individuale të Bashkimit Evropian të vënë sanksione Serbisë, kjo është e vërteta gjithçka tjetër që kërkon Borrelli faktikisht të fitojë kohë duke mos propozuar masat konkrete ndëshkuese ndaj Serbisë për këtë sulm terrorist që ka qenë tepër e rëndë edhe pse Serbia e ka menduar këtë dhe e ka paramenduar ndoshta të arrijë të aneksojnë një pjesë të vendit tonë”, ka thënë Gashi për Ekonomia Online.
Kurse, sa i përket kritikave në drejtim të Prokurorisë Speciale, Gashi ka thënë se Prokuroria duhet të mos ngutet në punën e saj, në mënyrë që të identifikojë rastin e gjykimi të bëhet në Prishtinë dhe kriminelët të dënohen.
“Prokuroria duhet të mos ngutet, por të identifikojë të gjithë ata që janë përfshirë të gjithë ata që kanë qenë shtytës në këtë akt terrorist dhe që pastaj të ngritët një aktakuzë e në bazë të cilës aktakuzë besojmë që të gjithë të akuzuarit do të shpallen fajtorë në gjykimin e ardhshëm që do të mbahet në Prishtinë. Ne e dimë, që ka edhe trysni ndërkombëtare që së paku Radojiçiq së bashku me ata të cilët e kanë bërë këtë sulm terrorist që të dalin para drejtësisë, kemi pas kërkesa edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë përsëritur kohë pas kohë por me këto kërkesa me këto fjalë janë ndaluar ne derisa nuk shohim sanksione të ashpra në raport me Serbinë kjo çështje do të jetë e tejzgjatur”, ka thënë Gashi për Ekonomia Online.
Gjithashtu avokati Tomë Gashi, tha se procesi i hetimeve mund të zgjas derisa nuk ka një presion nga ShBA-ja dhe BE-ja.
“Derisa ata nuk përballen me presion të madh qoftë nga ShBA-ja, qoftë nga Bashkimi Evropian ata gjithmonë do të thirren formalisht që hetimet nuk kanë përfunduar dhe që sipas tyre ende duhet pritur për të parë së si janë organizuar sulmet për t’i vënë eventualisht masat ndëshkuese Serbisë. Faktikisht kjo është le të themi kushtimisht vetëm uvertura e fundit që Serbia ka bërë meqenëse në maj ishin të sulmuar më shumë se 100 pjesëtarë të KFOR-it meqenëse nuk kishte ndëshkime adekuate atëherë Serbia pothuajse ka marrë një dritë të gjelbërt nga hierarkia më e lartë e shtetit të Serbisë që të organizojë edhe sulme të tilla terroriste me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës”, ka thënë Gashi për Ekonomia Online.
Kujtojmë se janë bërë nëntë muaj prej kur është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, pra nëntë muaj që kur kryekrimineli i paramilitareve serb Milan Radojçiç ndodhet në liri.