Aktakuzë kundër dy personave për keqpërdorim detyre dhe legalizim të përmbajtjes së rreme

Prishtinë | 18 Tet 2024 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit H.Rr., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar“ dhe kundër të pandehurit L.V., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

I pandehur H.R., akuzohet se në katër raste në vitet 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar i gjendjes civile në komunën e Vushtrrisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personave tjerë, si dhe shkeljes së drejtave të personave tjerë, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për gjendjen civile, Ligjit për shtetësinë e Kosovës dhe udhëzimet administrative ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile katër persona, me të dhëna fiktive, pa qenë të regjistruar në librat amëz të lindjes, dhe kështu i ka pajisur kundërligjshëm me numër personal dhe dokumentacion.

Ndërsa i i pandehuri L.V., akuzohet se me datë 19 qershor 2017, në zyrën e regjistrimit civil, i njëjti ka vënë në lajthim organin kompetent – zyrën e regjistrimit civil në komunën e Vushtrrisë dhe ka vërtetuar një çështje të pa vërtetë në atë mënyrë që pa qenë i regjistruar në librat amëz të lindjes në gjendjen civile, me dokument të falsifikuar ka arritur të regjistrohet dhe të marrë numrin personal dhe të pajiset me dokumentacion.

“Me këto veprime, të pandehurit H.Rr., dhe L.V., kanë kryer veprën penale e cila u vihen në barrë. Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit ti shpallë fajtor për veprat e kryer penale dhe ti dënojë sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme