Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve: M.G., Sh.G., A.G., A.G., E.M., dhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale dhe atë: M.G., veprat “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të akuzuarit Sh.G. dhe A.G., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Ndërsa të akuzuarit, Sh.G., A.G., A.G., E.M., dhe A.M., kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 paragrafi 1 i KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i akuzuari M.G., me datë 04.07.2019 në Suharekë, në oborrin e pompës së derivateve të naftës ,,Ard com oil” pas një mosmarrëveshje paraprake që ka pasur i akuzuari E.M., me vëllezërit e të akuzuarit, Sh.G., dhe A.G., me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Sh.M., në atë mënyrë që e lë takimin në oborrin e pompës së derivateve ,,Ard com oil” lidhur me mosmarrëveshjen e ndodhur disa orë më heret. Dhe, pas takimit dhe zhvillimit të një bisede të shkurtër fillon një rrahje e të akuzuarit M.G., së bashku me vëllezërit e tij Sh.G., A.G., dhe A.G., me E.M., dhe A.M., dhe të dëmtuarin Sh.M.
Kështu, i pandehuri M.G., i cili në brez e kishte pistoletën e markës M 57 e kalibrit 7.62 mm e nxjerr dhe me të shtënë në drejtim të të dëmtuarit Sh.M., ashtu që e qëllon duke i shkaktuar lëndime të rënda dhe plagë nga arma e zjarrit.
Me këto veprime, i akuzuari M.G., ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KRPK-së.
Ndërsa, i akuzuari i dytë Sh.G., dhe i akuzuari i tretë A.G., si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, kurse, të akuzuarit Sh.G, A.G dhe A.G., si dhe E.M., dhe A.M., kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje”sipas KPRK-së.
I pandehuri M.G., gjendet në paraburgim, dhe prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të vazhdohet kjo masë, si dhe të gjashtë të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë.