Aktakuzë kundër katër të pandehurve për grabitjen e 8500 eurove në Deçan

Prishtinë | 08 Mar 2019 | 10:27 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, B.K., F.B., N.H., dhe L.B., për veprën penale ”Grabitje” nga neni 329, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Sipas aktakuzës, katër të pandehurit, B.K., F.B., N.H., dhe L.B.,  në bashkëkryerje me datën 22 janar të këtij vitit, rreth orës 11:23 në qytetin e Deçanit,  përkatësisht në parkingun e qendrës tregtare “Viva Fresh”, nën kërcënimin e revoles  kishin grabitur shumën prej 8,543 (tetëmijepesëqindedyzetetre) mijë euro, nga të dëmtuarit A.R. dhe V.B., të cilët në ato momenti ishin duke dërguar pazarin e ”Viva Fresh” për ta dorëzuar në bankë. 

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën  penale e cila ju vihet në barrë. 

Lidhur me veprat penale të grabitjeve, tri muajt paraprak, Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës, ka ngritur 6 (gjashtë) aktakuza, kundër 14 (katërmbëdhjetë) të pandehurve për këto vepra  penale, ku vlera e parave të grabitura është rreth 300.000 (treqind) mijë euro. 

Të ngjashme