Aktakuzë ndaj 20 personave për krime lufte në Gjakovë, akuzohen për vrasjen e 107 civilëve

Prishtinë | 06 Gus 2026 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, ndaj 20 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës gjatë viteve 1998-1999.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të pandehurit M.K., R.Ç., M.D., P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A. akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në aktakuzë thuhet se gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme (PJP), dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me 17 të pandehurit e tjerë si pjesëtarë të këtyre njësive, kanë marrë pjesë në një operacion të gjerë ushtarako-policor.

“Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme (PJP) dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A., në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartëcekura, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sipas aktakuzës, gjatë këtij operacioni ushtarako-policor, civilët janë ndarë sipas gjinisë, ndërsa ndaj tyre janë kryer vrasje, plaçkitje dhe djegie të pronave.

“Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar, disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, e disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme