Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga bashkëshortët e tyre. Për një rast të tillë, që ka ndodhur në fund të vitit të kaluar në Fushë Kosovë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj një burri të dyshuar.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ky institucion tashmë nga ngritur aktakuzë ndaj 35-vjeçarit nga Fushë Kosovë Esad Krasniqit, i cili dyshohet se ka rrahur gruan e tij.
Ai dyshohet se më 12 nëntor të vitit të kaluar, por edhe më parë, në shtëpinë e tyre të përbashkët në Fushë Kosovë, me dashje dhe me qëllim ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas burimeve të Sinjalit, për shkak të xhelozisë së tepërt, në natën e 12 nëntorit, ai i bërtet gruas së tij duke i thënë “mos fol me zë të lartë, mos lëvizë shumë se të shohin fqinjët” dhe më pas me dashje e godet me grushte në kokë dhe e ka kap me dorë për fyti, duke i shkaktuar lëndime trupore, ankth e frikë.
Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor, i dyshuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet./sinjal
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.