Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit Tomë Gashi, duke e ngarkuar për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 16 mars 2018, nga prokurori Blerim Igrishta, avokati Gashi më 29 prill të vitit 2016, rreth orës 10:54, pasi që paraprakisht kishte përfunduar seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ku në procesverbal ishte informuar nga gjykatësi i rastit se seanca është e mbyllur dhe se duhet të ruhej si konfidencialitet ajo çfarë flitej aty, i njëjti me të dal nga seanca, pa autorizim ishte zbuluar të dhënat për identitetin e personit të mbrojtur në procedurë penale duke iu drejtuar mjeteve me deklarata dhe duke përmendur emrin e tij në mënyrë publike.
Kjo aktakuzë e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” që është ushtruar ndaj Tomë Gashit është aktakuzë më kërkesë për shqiptimit të urdhrit ndëshkimor.
Kallëzimin ndaj Gashit, më 10 maj 2016 e kishte ngritur gjyqtarja penale në Njësinë Mobile të Gjyqtarëve të EULEX-it, Marie Tuma.
Në shkresën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të cilën gjykatësja Tuma ia kishte drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ajo ka paraqitur kallëzim penal ndaj Gashit për veprat penale “shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “mospërfillje e gjykatës”.
Por, më 16 mars 2018, prokurori Igrishta, kishte hudhur pjesërisht poshtë kallëzimin penal për veprën penale “mospërfillje e gjykatës” pasi sipas tij, nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se avokati Gashi ka kryer këtë vepër penale.
Sipas prokurorit Igrishta, pas analizimit të kallëzimit penal dhe shkresave të tjera të bashkëngjitura shihet se nuk janë plotësuar elementet thelbësore të veprës penale.
Kjo pasi që, siç thuhet në aktakuzë, gjykatësja e rastit vetëm i ka njoftuar palët se seanca është mbyllur dhe çdo gjë që flitet aty është konfidenciale dhe nuk bën të dal nga aty.
Ndryshe, në shkresën e saj gjykatësja Tuma, ka thënë se gjyqtari i procedurës paraprake kishte lëshuar një urdhër arresti për të pandehurin Azem Syla më 26 prill 2016, ku më pas policia e kishte arrestuar të njëjtin më 29 prill 2016 dhe e kishte sjell para saj si gjyqtare kujdestare për një seancë dëgjimore për paraburgim.
“Avokati Tomë Gashi përfaqësonte të pandehurin. Në fillim të seancës së paraburgimit, unë deklarova se seanca ishte e mbyllur dhe shpalosja e çfarëdo informacioni në lidhje me rastin gjatë seancës ishte konfidenciale dhe nuk duhet të zbulohet në media apo dikujt tjetër. Të gjitha palët, duke përfshirë edhe avokatin Tomë Gashi treguan se e kuptuan këtë dhe morën përsipër ta respektojnë atë”, kishte shkruar Tuma në shkresën drejtuar Kryeprokurorit Lumezi.
Më pas, thuhet se gjatë rrjedhës së seancës, prokurori i EULEX-it kishte deklaruar se rasti i tij ishte i bazuar në një numër të burimeve të provave, duke përfshirë dëshmitë e dy dëshmitarëve bashkëpunues dhe dëshmitarëve të mbrojtur.
“Ai deklaroi se dëshmitari kryesor ishte N.B.. Ai deklaroi se më parë gjyqtarët e EULEX-it kishin aplikuar masa mbrojtëse për këtë dëshmitar në dy raste të tjera. Më 3 nëntor 2015, gjyqtari i procedurës paraprake po ashtu ka lëshuar një urdhër që shpall N.B. si dëshmitar bnashkëpunues në këtë rast. Kam vazhduar seancën dhe më 30 prill 2016, kam lëshuar një urdhër duke ia caktuar të pandehurit Azem Syla një muaj paraburgim”, thuhet në kallëzim penal nga gjykatësja Tuma.
Kurse, ajo tutje kishte thënë se më 2 maj 2016 është informuar se Tomë Gashi thuhet se ka bërë deklarata për media të ndryshme në të cilat ai e ka identifikuar dëshmitarin N.B. dhe ka deklaruar se çështja e prokurorit ishte e bazuar në dëshminë e tij.
Ajo ka thënë se duket se Gashi i ka dhënë këto deklarata për mediat menjëherë pas seancës 29 prill 2016.
“Duket se z.Gashi thjeshtë ka injoruar udhëzimet e mia. Unë jam e vetëdijshme nga rastet e mëparshme, siç jam e sigurt si jeni edhe ju, se dëshmitari N.B. pavarësisht statusit të tij si një dëshmitar i mbrojtur, është frikësuar dhe bile ka pasur edhe përpjekje për ta lënduar atë”, kishte shkruar Tuma në kallëzim penal.
Lidhur me ngritjen e kësaj aktakuze, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me avokatin Tomë Gashi.
Ai ka thënë se nuk është në dijeni se ndaj tij është ngritur një aktakuzë e tillë, prandaj ka thënë se lidhur me këtë do të deklarohet pasi të njoftohet me këtë çështje.