Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dy aktakuza në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurave Q.S dhe E.B për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.
PSRK-ja njofton se “e pandehura Q.S, më 15 prill 20015, me dashje dhe vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Kosovë dhe me bashkëshortin, përmes Aeroportit të Shkupit, ka udhëtuar për në Turqi, përmes Turqisë ka hyrë në Siri me qëllim që t’i bashkohet organizatës terroriste ISIS, nga e cila është financuar rregullisht, ndërsa i ka ofruar shërbime logjistike bashkëshortit të saj, i cili aktivisht ka luftuar në anën e organizatës terroriste, ISIS”, raporton Koha.net.
“Ndërkaq, e pandehura E.B, më 26 gusht 2014, me dashje dhe vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Republikën e Kosovës dhe bashkë me katër fëmijët e saj nga Kosova kanë kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pastaj nga Aeroporti i Shkupit ka udhëtuar në Turqi, përmes Turqisë ka hyrë në Siri ku edhe është regjistruar pjesëtare e grupit terrorist ISIS”.
“E pandehura E.B, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave të marra nga ISIS-i, i ka ofruar shërbime logjistike bashkëshortit të saj i cili aktivisht ka luftuar në anën e organizatës terroriste, ISIS”, ka theksuar Prokuroria Speciale e Kosovës.
Me këto veprime, PSRK thotë se të pandehurat Q.S dhe E.B kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.