Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të pandehurit F.Sh., i cili ngarkohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. I pandehuri aktualisht ndodhet nën masën e paraburgimit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, F.Sh. akuzohet se nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025 ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë (BIA). Ndaj tij rëndon akuza se ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi duke zbatuar urdhra dhe detyra të zyrtarëve serbë, si dhe duke mbledhur e përcjellë përmes mesazheve telefonike informacione e dokumente sensitive mbi aktivitetet politike, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Përveç spiunazhit, i pandehuri ngarkohet edhe për shantazhimin e të dëmtuarit A.J. gjatë periudhës 2022 – dhjetor 2025. F.Sh. dyshohet se e ka detyruar të dëmtuarin t’i japë para në emër të huazimit, në një vlerë që tejkalon 13,000 euro, duke e kërcënuar se do t’i publikonte në media video-incizime dhe materiale që do t’i dëmtonin rëndë nderin, autoritetin dhe reputacionin.
Çështja tashmë i ka kaluar Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedim të mëtejshëm gjyqësor.