Prizren, 05 gusht 2019 – Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër N.K., në cilësinë e ish – Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, pranë Komunës së Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafi 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i akuzuari N.K, e që EkonomiaOnline mëson se është Nijazi Kryeziu, në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj.
Kështu që, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontratë për emitimin e spoteve reklamuese në sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ashtu që me TV Opinion vlera totale e kontratës arrinë shumën 7200 € (shtatë mijë e dyqind euro). Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri N.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.