Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj M.D. për krim kundër njerëzimit dhe shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar
“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit të Kosovës me iniciale M.D., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim kundër njerëzimit”, nga neni 143 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale “Shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, nga neni 147, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafët 2.6 dhe 2.23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë Speciale, këto vepra u kryen ndaj vajzave dhe grave të komunitetit ‘’Yazzid’’ gjatë konfliktit në Siri dhe Irak në periudhën kohore 2014-2017 dhe se kjo çështje penale tashmë ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.
Po ashtu, PRSK-ja njofton se i pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.