Aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë për vrasjen e ndodhur para 11 vjetësh në Prizren

Prishtinë | 01 Tet 2024 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.H., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili gjendet në paraburgim nga data 30.08.2024, pas ekstradimit nga Mbretëria e Bashkuar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë, se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Organi i akuzës shpjegon se si ka ndodhur ngjarja para 11 vjetësh.

Sipas aktakuzës, me datë 04.06.2013 në periudhën kohore prej orës 03:23min dhe 06:47min, në Prizren, me dashje privon nga jeta në mënyrë mizore dhe tinzare nga motivet e ulëta së bashku me tani të dënuarin S.K., – viktimën I.K., në atë mënyrë që së bashku me S.K., nga Shkodra-Republika e Shqipërisë, vjen për të vizituar I.K., e cila ishte duke punuar si këngëtare-valltare në Mitrovicë në lokalin “Sh.”, pronë e M.S., me ç’rast takohen në Prizren, ku qëndrojnë në shtëpinë e F.R., ku ajo ka banuar më herët. Pasi që familja nuk është pajtuar lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës, dhe pasi e njëjta nuk është pajtuar të kthehet në shtëpi, papritmas i pandehuri S.H., me thikë së bashku me S.K., fillojnë të godasin I.K., në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar plagë prerëse – shpuese, me ç’rast ka ardhur deri te vdekja e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të prehtë, e që është konstatuar sipas raportit të autopsisë së kryer me datë 05.06.2013.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Të ngjashme