Prokuroria Themelore në Prizren njofton se ka ngrehur aktakuzë kundër të pandehurve S.F., K.B., dhe E.Sh., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, në vazhdimësi deri më datë 28 mars 2024 pas mesnatës, në Prizren, Xërxe dhe Gjakovë, të akuzuarit duke vepruar në grup, pa autorizim kanë blerë, shpërndarë dhe shitur në sasi të mëdha substanca narkotike të llojit “kokainë”. I akuzuari S.F., ka blerë kokainën nga persona të panjohur dhe në pajtim me të akuzuarin E.Sh., i ka lënë t’i ruajë në shtëpinë e E.Sh., në Gjakovë.
“Më pas i akuzuari S.F., me qëllim të barazimit të borxhit, me kërkesë të akuzuarit K.B., ofron kokainë për shitje në sasi prej 50.35 gram, ku i akuzuari K.B., me datë 02.10.2023 pas mesnate pas pranimit të kokainës në fshatin Xërxe, me automjetin e tij, kthehet në lokalin i tij “S….”rreth orës 01:14 min., dhe sasinë e pranuar të kokainës nga i akuzuari S.F., ia shet personit tjetër në shumë prej 2000€ (dy mijë euro) , i cili ia ka bërë pagesën K.B., 1900 € (një mijë e nëntëqind euro) derisa pagesa prej 100€ (njëqind euro) është dashtë të bëhet në takimin e radhës për porosinë për 1 kg kokainë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje bëhet e ditur se më 28 mars edhe është bastisur shtëpia e E.Sh. dhe janë konfiskuar dy qese plastike me kokainë me peshë 147.78 gram; dy qese plastike me kokainë me peshë 52.01 gram; një qese plastike me kokainë me peshë 5.71 gram; një qese plastike me kokainë me peshë 2.82; një qese plastike me mariuhanë në peshë prej 0.95 gram; një peshore digjitale ngjyrë e bardhë; një peshore digjitale ngjyrë e zezë; Tri foli plastike; një rrollne alumini dh dy shirita ngjitës.
Gjithashtu, në këtë çështje, paralel me hetimet penale prokurori i shtetit ka zhvilluar edhe hetime financiare sipas Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë, ashtu që për pasuritë të cilave nuk u dihet prejardhja, që janë një shtëpi me sipërfaqe 250m2 dhe trualli në sipërfaqe 421m2 e cila gjendet në Prizren, dhe një automjet i markës “Mercedes”, pronë e të pandehurit K.B., në mungesë të procedurave të detajuara dhe të pamjaftueshme në Kodin e Procedurës Penale, për këto pasuri do të ndiqen rrugët ligjore të përcaktuara në ligj.