Aktakuzë në mungesë ndaj një personi për dhunimin e një të miture gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë | 02 Tet 2023 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të hënën ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit me iniciale M.J. lidhur me një rast të dhunimit seksual gjatë luftës në Kosovë.

Kjo aktakuzë është ngritur për gjykim në mungesë dhe i pandehuri akuzohet se ka dhunuar një të mitur.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri me iniciale M.J. si pjesëtarë i forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Ferizajt, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, në bashkëkryerje me persona të tjerë, deri tani të paidentifikuar, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptar, e cila në kohën e dhunimit ishte e mitur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këtë rast thuhet se viktima pësoi lëndime të rënda fizike dhe trauma të përhershme psikike.

“Me këto veprime i pandehuri M.J. ka kryer vepër penale ‘Krimet e luftës kundër popullsisë civile’ nga neni 142 të Kodit penal të Jugosllavisë (i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Speciale thuhet se i ka propozuar Gjykatës kompetente që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për ta gjetur të pandehurin.

Të ngjashme